Valdete Daka, KQZ FOTO- Atdhe Mulla

Valdete Daka: Institucionet të shfrytëzojnë afatin maksimal për shpalljen e datës së zgjedhjeve

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarja Valdete Daka, ka kërkuar nga institucionet e vendit që të shfrytëzohet afati maksimal kushtetues për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Daka ka thënë se KQZ-ja nuk e ka ende të aprovuar buxhetin për organizimin e zgjedhjeve qendrore që do të mbahen në vend.

“Ne tashmë jemi të vetëdijshëm se zgjedhjet janë të pashamngshme dhe natyrisht ne do të presim datën. Kisha dashtë me e pasë parasysh të gjitha institucionet relevante që të shfrytëzohet afati maksimal kushteutes për datën e shpalljes së zgjedhjeve. Jemi  para vitit të ri, i kemi festat shtetërore ne ende nuk e kemi një buxhet të alokuar dhe as të aprovuar dhe do të jetë goxha sfiduese”, tha ajo.

Sami Kurteshi, anëtar nga Lëvizja Vetëvendosje tha se krijimi i një aplikacioni për regjistrimin e personave që jetojnë jashtë Kosovës për votim do t’ia lehtësonte punën KQZ-së.

“Krijimi i aplikacionit do të lehtësonte edhe punën e KQZ-së, shumë. Po kërkoj nga KQZ t’i japim udhë krijimit të aplikacionit për regjistrimin e mërgimtarëve”, tha Kurteshi.

Por, anëtari i LDK-së, Sami Hamiti tha se kjo çështje është duke u trajtuar në komisonet e Kuvendit të Kosovës dhe se “në këtë fazë nuk ka mundësi të bëhet për këto zgjedhje”.

Ndërkaq, Yll Buleshkaj, drejtor i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është rritur interesimi për iniciativa të reja.

“Jemi shumë të zënë këto ditë duke  këshilluar partitë politike por edhe inicaitve për themelim të partive. Duket që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur interes të veçant për iniciativa  të reja por edhe për certifikim të paritve të tjera të cilat para se të fillojë afati ligjor janë të interesuar për kushtet që duhet t’i plotësojnë. Ka shumë edhe të komuniteteve që më parë nuk ka pasë”, tha ai.

Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti vendi do të shkojë në zgjedhje.