Foto: Volodymyr Zelensky / facebook

Ukraina likuidon në Rusi ish-deputetin "tradhtar", Illya Kyva

Ish-deputeti ukrainas Illya Kyva është vrarë në Rusi nga shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës, raporton BBC Ukrainë sipas burimeve.

“Krimineli u likuidua duke përdorur armë të lehta”- thuhet tutje në raportim.

Trupi i tij u gjet jashtë kryeqytetit rus, Moskë, thanë hetuesit rusë.

Në fillim të këtij viti, Kyva u dënua me 14 vjet burg për tradhti të lartë dhe thirrje publike për pushtimin e Ukrainës. Ai tashmë kishte ikur nga Ukraina dhe ishte dënuar në mungesë.

Disa media ukrainase cituan gjithashtu burimet e tyre të thoshin se SBU qëndronte pas vrasjes së ish-deputetit 46-vjeçar.

“Po, ne mund të konfirmojmë se Kyva nuk është më. Këtë fat do ta kenë tradhtarët e tjerë të Ukrainës dhe marionetat e regjimit të Putinit” – tha Andriy Yusov, zëdhënës i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, për TV ukrainas.

Komiteti hetues shtetëror i Rusisë SK tha se informacionet paraprake treguan se Kyva u qëllua për vdekje në fshatin Suponevo, në perëndim të Moskës. Tani po zhvillohet një hetim penal.

Kyva kishte bërë fushatë të pasuksesshme për presidencën e Ukrainës më 2019 dhe u largua nga vendi vetëm një muaj para se Rusia të niste agresionin ndaj Ukrainës në shkurt 2022.

Ai kishte qenë pjesëmarrës i rregullt në shfaqje televizive propagandistike në mediat shtetërore ruse.

Ai gjithashtu thuhet se kishte planifikuar të kërkonte azil politik në Rusi, raporton BBC.