Tre qytetarë sulmojnë policët në Merdarë - VIDEO

Një patrullë e policisë është sulmuar nga tre persona në Merdarë, sot rreth orës 10:00. Si pasojë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Ajo shtoi se të dyshuarit janë shoqëruar në stacion dhe është nisur hetim për veprën “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Sipas burimeve të KALLXO.com të dyshuarit janë qytetarë që kanë qenë pjesë të kolonës së krijuar në pikën kufitare në Merdarë.

“Pas vënies nën kontroll të situatës dhe shoqërimit në stacion të tre personave të dyshuar, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për veprën Sulm ndaj personit zyrtar” – tha Ahmeti.

Sot rreth orës 11:00, KALLXO.com ka raportuar se pritjet në pikën kufitare në Merdarë në dalje kanë shkuar deri në dy orë (120 minuta), derisa në hyrje 3-5 minuta.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, aktualisht pritjet në dalje në këtë pikë kufitare janë 3 deri në 3 orë e 20 minuta (180-200 minuta).