Tortë e 'hidhur': PDK shënon 20 vjetorin me shijen e humbjes në zgjedhje

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shënuar dy dekada që prej themelimit të saj.

Sot, Kadri Veseli si nikoqir i strukturave të PDK-së, në shënimin e përvjetorit të partisë, pati shumë fjalë për partinë që ishte në pushtet në 12 vitet e fundit.

“Para 20 vjetësh, shume idealistë të lirisë, të prirë nga luftëtarë dhe intelektual të ardhur nga betejat e lavdishme, të cilëve ju bashkuan edhe shumë veprimtarë të sinqertë, nisën një tjetër projekt të madh për Kosovën – të cilin, më pas, historia do ta njohë si arritje të jashtëzakonshme”, tha Veseli para strukturave të PDK-së.

PDK ishte themeluar nga Hashim Thaçi dhe ish-bashkëluftëtarë të tij në UÇK. Në vitin 2016, Thaçi u largua nga partia për ta marrë postin e Presidentit të Kosovës.

“Sot, 20 vjet më pas, e themi me krenari se Partia Demokratike, trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u soll denjësisht, transformoi veten dhe Kosovën”, deklaroi tutje kryetari i PDK-së.

Foto: PDK

I pari i PDK-së gjatë fjalimit përmendi edhe zgjedhjet e fundit nacionale në të cilat, PDK u rendit partia e tretë më e fuqishme në vend.

“Ne bëmë një fushatë konkrete, në sfidat që ka vërtetë Kosova. Ndërsa, oponentët tanë u morën veç me ne. Ata arritën të bashkohen kundër nesh dhe ta ndërtojnë kauzën kundër nesh. Ne, tani jemi opozitë! Do të jemi opozitë e vërtetë kundër një kaste që veten e sheh mbi interesin e Kosovës dhe qytetareve tanë. Do të jemi opozitë në shërbim të Kosovës dhe vetëm të Kosovës”, deklaroi Kadri Veseli.

Përmbyllja e takimit për festimin e 20 vjetorit të partisë, Kadri Veseli e bëri me prerjen enjë torte me mbishkrimin PDK.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura me 6 tetor nxorën PDK-në në vendin e tretë me 169 mijë e 211 vota apo 21.24 për qind.