Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Thirret protestë për rastin e vrasjes së 18-vjeçare edhe në Prishtinë

Organizata të shoqërisë civile kanë njoftuar se do e vazhdojnë protestën kolektive të nisur të martën në Ferizaj, tani pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë.

Marshi Protestues fillon në ora 12 nga Ministria e Drejtësisë, për të vazhduar tek ajo e Punëve të Brendshme dhe përfundon pranë Qeverisë.

Kjo pasiqë, vrasja e Marigonës dhe dhuna e vazhdueshme ndaj vajzave dhe grave, është problem sistemik dhe dështim shtetëror. E llogaria duhet kërkuar nga institucionet, të cilat kanë obligim të na sigurojnë të drejtë elementare, të drejtën për jetë,” kanë shkruar në Facebook organizatorët nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Organizata “QIKA” si dhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Në njoftimin në Facebook janë bërë të ditura edhe kërkesat:

1. Trajtimin e femicidit si urgjencë kombëtare;

  1. Krijimin e një departamenti brenda Ministrisë së Brendshme për parandalim dhe trajtim të femicidit;
  2. Monitorim, sanksionim dhe shkarkim të Gjyqtarëve, Prokurorëve, dhe Policëve të Kosovës që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet dhe ndjeshmëri gjinore, sipas Kodit Penal të Kosovës dhe Konventës së Stambollit; Llogaridhënie nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, dhe Inspektorati Policor për këto raste të shkeljeve;
  3. Plan konkret nga Qeveria e Republikës së Kosovës për luftimin e dhunës me bazë gjinore;
  4. Siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat.

Organizatorët poashtu kanë bërë thirrje që të respektohen masat kundër COVID-19.