Ilustrim - Foto: Facebook/ Ministria ukrainase e Mbrojtjes

The Guardian: Sulmohet një depo nafte në Rusi

Një depo nafte në Kursk, në Rusi thuhet se pësoi një shpërthim në një sulm nga një dron ukrainas, siç tregohet nga raportet në internet më 15.02.2024, raporton media britanike, The Guardian.

Guvernatori i rajonit të Kurskut, komunikoi përmes një llogarie në Telegram se incidenti rezultoi nga një sulm ukrainas. Ai siguroi publikun se nuk raportohet për viktima dhe se shërbimet e urgjencës po i përgjigjen në mënyrë aktive situatës.

Ndërkohë, ushtria e Ukrainës pretendon se e ka fundosur një anije zbarkimi ruse në një sulm të fundit me dron që synonte flotën e Detit të Zi të Moskës. Inteligjenca ushtarake ukrainase publikoi një video që tregon dronët detarë duke iu afruar anijes së madhe të klasës Ropucha, Cesar Kunikov në brigjet e Krimesë. Më pas, anija e dëmtuar u pa e përmbysur dhe duke u fundosur.

Blogerët ushtarakë rusë, shpesh burime të besueshme, i kanë vërtetuar raportet e sulmit. Ky sulm shënon operacionin e dytë këtë muaj që ka si shënjestër një luftanije ruse në Detin e Zi. Më herët në shkurt, dronët e detit ukrainas Magura V5 shënjestruan anijen luftarake ruse Ivanovets.

Presidenti ukrainas Volodymr Zelenskiy përshëndeti arritjen, duke shprehur vendosmërinë për të eliminuar gradualisht praninë ushtarake ruse në Detin e Zi. NATO vlerësoi gjithashtu goditjen ndaj Cezar Kunikov si një fitore të rëndësishme për Ukrainën.

Në zhvillime të tjera, Gjermania ka përmbushur objektivin e NATO-s për të shpenzuar 2% të PBB-së së saj për mbrojtjen për herë të parë që nga viti 1992. Kjo vjen mes thirrjeve për rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe shqetësimeve për veprimet agresive të Rusisë.

Diskutimet për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë u mbajtën në Bruksel, me SHBA-në, BE-në dhe partnerët që po shqyrtojnë masa të forta për ta kundërshtuar shmangien e sanksioneve. BE-ja po propozon gjithashtu sanksione ndaj kompanive në Kinën kontinentale për ta parandaluar Rusinë të marrë teknologji ushtarake nëpërmjet vendeve të treta.

Ministrat perëndimorë të mbrojtjes u mblodhën për ta diskutuar sigurimin e pajisjeve shtesë për Ukrainën, ndërsa Zvicra njoftoi planet për t’i rritur shpenzimet ushtarake në përgjigje të konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë.

Për më tepër, Kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner i ka kërkuar administratës së Bidenit ta deklasifikojë informacionin në lidhje me një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare të perceptuar, që thuhet se përfshin planet ruse për të vendosur armë bërthamore në hapësirë./The Guardian