Richard Grenell

Thaçi, telefonatë me të dërguarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka realizuar sot një bisedë telefonike me Ambasadorin Richard Grenel, të cilin sot Presidenti Donald Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka emëruar të dërguar special për negociatat paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një komunikate për media, Thaci ka mirëpritur emërimin e Ambasadorit Grenell si i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi si dhe rolin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

“Emërimi juaj shton konfidencën dhe besimin tonë në këtë proces dhe në mundësinë për të arritur një marrëveshje të paqes, përfundimtare, me Serbinë”, është shprehur ai.

“Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai Thaçi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zgjodhi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.