Thaçi për zhvillimet në Shqipëri: Kosovarët i kanë hapur shtëpitë e tyre

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është duke i ndjekur me vëmendje dhe pikëllim ngjarjet në Shqipëri pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin mëngjesin e sotëm.

Deri më tani raportohet se 15 persona kanë vdekur dhe mbi 600 persona janë plagosur nga tërmeti i sotëm.

Thaçi përmes Twitter ka shkruar se FSK-ja po e ndihmon Shqipërinë në operacionet  shpëtimit.

Presidenti ka shtuar se kosovarët kanë hapur shtëpitë e tyre për Shqipërinë.

“Duke ndjekur me shumë vëmendje dhe pikëllim serinë tragjike të tërmeteve në Shqipërinë tonë të dashur. Forca e Sigurisë së Kosovës tani po ndihmon Shqipërinë në operacionet e shpëtimit. Shumë kosovarë kanë hapur shtëpitë e tyre. Ne lutemi për motrat dhe vëllezërit tanë dhe jemi të gatshëm t’i ndihmojmë në të gjitha mënyrat”, ka shkruar presidenti.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.