Thaçi: Do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është deklaruar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila aprovoi kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për masë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentit që mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm.

Thaçi u shpreh se Kosova do ta respektojë në plotëni këtë vendim dhe që sipas tij, tashmë shteti kosovar ka një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Sapo u njoftova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, u shpreh presidenti në rrjetin social Facebook.

“Si President i Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Gjykata Kushtetuese e ka aprovuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për masë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm.

Sipas Kushtetueses, vendimi për masën e përkohshme është deri më 29 maj 2020.

Të enjten, Lëvizja Vetëvendosje dërgoi kërkesën për masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentit pak minuta pasi që ky i fundit njoftoi se ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Presidenti Hashim Thaçi përmes një konferencë për media dje ka njoftuar se ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër të Kosovës.

Kushtetuesja pezullon dekretin e Thaçit për Avdullah Hotin