Testi i Maturës 2019 - Foto: KALLXO.com

Testi i maturës do të mbahet më 18 qershor

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci në konferencë për media ka njoftuar, se testi i arritshmërisë do të mbahet më 4 dhe 14 qershor 2022, kurse ai i maturës shtetërore më 18 qershor.

Sipas tij, testit të maturës shtetërore pritet t’i nënshtrohen rreth 24 mijë maturantë.

“Mund të ketë edhe nxënës të viteteve të kaluara që mund t’i shtohen këtij numri të nxënësve” tha ai.

Zëvendësministri ka bërë të ditur se testi PISA në të cilin janë duke u testuar nxënësit e moshës 16-vjeçare është duke u zhvilluar dhe do të vazhdojë deri më 20 maj.

“Shpresojmë që rezultatet do të jenë më të pasura se herat e kaluara. Presim që rezultati të jetë rezultat i besueshëm dhe i saktë”, ka thënë ai.

Shtatë mijë nxënës të moshës 16 vjeç, të përzgjedhur nga 237 shkolla të Kosovës, janë duke u testuar që nga 25 prilli.

Tutje, Pupovci ka shtuar “Problemi i testit PISA është se të tregon se si e ke gjendjen, por jo se cilat janë shkaqet”.

PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim mbarë botërore i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe jo anëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.

Në vitin 2015 dhe në vitin 2018, ky test, i cili bën vlerësimin në lexim, matematikë dhe shkencë, e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore.

Ethet e PISA-s zënë prapë Kosovën