Çerdheja e vetme publike në Fushë Kosovë

20 vjet pas lufte Fushë Kosova nuk funksionalizoi asnjë çerdhe publike

 

Komuna e Fushë Kosovës me rreth 35 mijë banorë ka vetëm një çerdhe publike.

Kopshti “Gëzimi ynë” ka rreth 200 fëmijë nga 1-5 vjeç, të cilët vijojë aktivitetet në këtë institucion.

Drejtoresha Sherfie Tërnava, tha se numri i madh i fëmijëve e pengon zhvillimin e procesit mësimor në krahasim me grupet standarde që do të duhej të ishin.

Ajo tha se ndërtimi i një çerdhe tjetër do t`jua lehtësonte punën.

Ndërsa drejtori për arsim në komunë e Fushë Kosovës, Islam Shabani tha se ata kanë ndërtuar dy çerdhe publike por nuk po arrijnë t`i funksionalizojnë.

“Ne si komune i kemi ndërtuar dy çerdhe tjera, por nuk po mundemi t’i funksionalizojmë, shkaku i vendeve të punës, nuk po mund t`i fusim në sistem të pagave punëtorët nga arsyeja e limitimit të buxhetit. Por në rënd të parë është mungesa e truallit dhe e dyta do të ishte funksionalizimi i tyre”, tha ai.

Nga kjo drejtori thanë se kërkesat janë të shumta për kopshte publike. Kjo pasi që çmimi i qëndrimit në çerdhe publike është 45 euro, ndërsa në çerdhe private çmimi varion nga 55-90 euro.

Vetëm 6 % e fëmijëve nga mosha 0-5 vjeçare ndjekin shkollimin parafillor në Kosovë.

Kjo përqindje po konsiderohet e ulët nga ekspertët e arsimit.

Dukagjin Popovci, ekspert në këtë fushë dhe profesor universitar renditë arsyet se pse  kjo pjesëmarrje e fëmijëve në sistemin parashkollor të arsimit është kaq e ulët.

“Arsyeja e parë është shkalla e ulët e punësimit të gruas – vetëm 13.7% e grave të moshës 15-64 vjeç punojnë për dallim nga 45.9% e burrave të kësaj moshe. Në raste të tilla, familja rëndom nuk e konsideron të nevojshme që fëmija të vijojë edukimin parashkollor pasi e ëma është në shtëpi. Arsyeja e dytë është gjendja ekonomike e familjeve në Kosovë – shumë prej tyre nuk mund ta përballojnë koston e institucionit parashkollor, e cila sillet prej 50 euro në muaj në sektorin publik deri mbi në 200 euro në muaj në sektorin privat. Arsyeja e tretë është rrjeti i pazhvilluar i institucioneve publike. Kapacitetet në këtë sektor janë shumë të kufizuara dhe nuk mund t’i pranojnë as 3% të fëmijëve të moshës 0-6”, tha ai.

Popovci për KALLXO.com tha se pjesëmarrja në edukimin parashkollor ka efekte të jashtëzakonshme në zhvillimin e fëmijëve, duke i zhvilluar te ata shkathtësitë e para-leximit dhe para-numeracionit.

Ai shtoi se efektet janë akoma më të dukshme te fëmijët nga grupet sociale të margjinalizuara, të cilët nuk kanë kushte që këto shkathtësi t’i zhvillojnë në shtëpi, qoftë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike ose nivelit arsimor të familjes.

Sipas profesorit fëmijët duhet ta fillojnë edukimin parafillor të paktën nga mosha 4 vjeçare.

Nga statistikat e Ministrisë së Arsimit për vitin 2018/2019 vetëm 6.20% e të vegjëlve nga 0-5 vjeç në Kosovë vijojnë mësimin në kopshte.

Ndërsa sa i përket moshave 5-6 vjeç përfshirja e fëmijëve është mbi 90% dhe kjo ndodh sepse ky nivel i shkollimit është në kuadër të institucioneve publike.