Çka po ndodh në Ministri të Arsimit, pse po largohen zëvendësministrat?

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka folur rreth dorëheqjes së dy zëvendësministrave në këtë dikaster, Dukagjin Popovcit dhe Edona Maloku-Bërdynës.

Nagavci në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se të jesh ministër dhe zëvendësministër në Qeverinë Kurti nuk është punë e lehtë.

“Në Qeverinë Kurti kërkohet përkushtim maksimal, që nënkupton edhe beteja të tilla të cilat nuk do të duhej të ishin as të imagjinueshme” – ka thënë Nagavci.

Por ajo u sfidua nga Jeta Xharra, e cila e pyeti nëse me këtë deklaratë nënkupton që zv.ministri Dukagjin Popovci është lodhur prandaj ka dhënë dorëheqje.

“Zv.ministrja Maloku-Bërdyna ka bërë përpjekje për të vazhduar por ka qenë vendim i saj që të vazhdojë me punën akademike ashtu siç ka qenë më herët. Për dy vite sa ka qenë ka kontribuar, unë e vlerësoj bashkëpunimin që kemi pasur. Sa i përket Popovcit edhe ai ka qenë për dy vite, ai ka pasur njohuri për sistemin e arsimit dhe ka qenë korrekt në punën e tij. Sipas reflektimit të tij puna brenda institucioneve e ka pa se përballet me vështirësi të shumta, nuk është e imja të them nëse është lodhur apo jo” – tha Nagavci.

Ajo shtoi se ata i kanë dhënë arsyet e tyre në letrën e dorëheqjes.

.