Tentimvrasja për shkak të borxhit, i akuzuari ballafaqohet në Gjykatë me rrëfimin e të dëmtuarit

Mehmet Bujupi, i akuzuar nga Prokuroria për vrasje të rëndë në tentativë e cila ndodhi në korrik të vitit 2022 në fshatin Arllat të Drenasit, është ulur sot më 12.06.2024 në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ai më 11.07.2022 rreth orës 16:40 afër shtëpisë së tij, kishte tentuar që t’i privojë nga jeta të dëmtuarit Sabit e Bajram Bujupi.

Motivi i kësaj, sipas Prokurorisë ishte një borxh prej 1,327 euro për ndërtimin e një shtëpie.

Ai para gjykatës u përball me dëshminë e të dëmtuarit Bajram Bujupi.

Dëshmitari Bujupi para gjykatës deklaroi se konflikti kishte filluar për shkak se sipas tij, Bujupi së bashku me vëllezërit e tij e kishin kontraktuar Mehmet Bujupin për ndërtimin e shtëpisë, pastaj pas shikimit të planit, i akuzuari sipas tij kishte filluar ndërtimin e shtëpisë jo siç ishin dakorduar.

Tutje ai theksoi se i kishte thënë të akuzuarit se puna e tij aty ka mbaruar dhe të barazohen për punën që i akuzuari e kishte kryer, e pastaj ky i fundit ishte larguar së bashku me punëtorët.

I akuzuari sipas dëshmitarit nuk kishte shkuar të barazohej, por sipas dëshmitarit kishte diskutuar me vëllanë e të akuzuarit, të cilët ishin marr vesh që ai do t`i jepte paratë.

Lidhur me shumën e parave dëshmitari theksoi se të akuzuarit i kishte dhënë 2000€ në formë kapari edhe 1500€ të kaparit ju ishin kthyer nga i akuzuari.

500€ tjera sipas dëshmitarit, i akuzuari i kishte marrë mbi arsyen se kaq është dashur për punën e bërë.

Sipas dëshmitarit, në ditën kritike i akuzuari fillimisht nuk ishte aty por ishte babi i tij dhe vëllai i tij, kurse më vonë kishte ardhur i akuzuari direkt me kërcënime dhe me nxjerrjen e armës e cila nuk shkrepi.

“Jam shku m`u taku me babanë e tij Muratin te shpija e Izetit, ka dal Murati ka tentu me na shti brenda me pi nga një kafe. Na i thamë që nuk mundemi me hy brenda, po diskutojmë këtu tek dyert edhe i kam tregu ngjarjen Muratit kështu qysh ja u tregova juve tash. Murati më tha që janë marr vesh me do inxhinierë rreth frakturës pastaj ka ardh Izeti nuk na ka përshëndet në mënyrën e zakonshme, ka nejt në distancë. Ju kam drejtu Muratit thash thuaji djalit tan Izetit veç le t`i tregon fjalët që i ka thënë atë ditë kur ka qenë te na, le t`i thotë këtu para teje prapë”– përshkroi sot para Gjykatës dëshmitari.

Dosja e Prokurorisë thotë se të dëmtuarit kishin shkuar te shtëpia e të akuzuarit, kurse ky i fundit i kishte kërcënuar me fjalët “Ecni prej këtu, mos të ju shoh më kurrë këtu” dhe nga xhepi kishte nxjerrë një revole.

“I pandehuri ka tentuar që të privojë nga jeta tani të dëmtuarit Sabit e Bajram Bujupi për shkak të një borxhi që u kishte në shumë prej 1327€, për ndërtimin e shtëpisë, në atë mënyrë që: tani të dëmtuarit Sabit e Bajram Bujupi kanë shkuar të shtëpia e vëllait të të pandehurit Izet Bujupi dhe babait të tij Muratit, nga oborri ka dal i pandehuri Mehmet Bujupi dhe të dëmtuarve u drejtohet me fjalët “Ecni prej ktuhit, mos të ju shoh më kurrë këtu” dhe nga xhepi nxjerrë revolen e tipit “Zoraki M 906-B Made by attack arms lid”, me numër serik 0002031217, e mbush, dy-tri herë e tërheq këmbëzën, mirëpo një plumb i bie në tokë…” – përshkruhet në dosjen e prokurorisë të datës 24.05.2023.

Përveç akuzës për vrasje të rëndë në tentativë ai akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Për armëmbajtje pa leje, ai e ka pranuar fajësinë në seancën e sotme, dhe ky pranim i fajësisë është aprovuar nga gjykata.

Kjo çështje po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Sulltane Hoti – kryetare, dhe anëtarët Avni Syla dhe Alban Ajvazi, kurse gjykimi për këtë rast do të vazhdojë në shtator 2024.