
Tentim grabitja, njëri nga të plagosurit është në gjendje të rëndë
Dy persona mbetën të plagosur në tentim grabitjen e armatosur, që u krye sot rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë-Gjilan.
Cak i grabitjes ishte një furgon i kompanisë “Besa Security”, i cili po transportonte para.
Sipas kompanisë, grabitësit kanë përdorur armë të kalibrit të rëndë dhe Kallashnikovë.
Nga përdorimi i këtyre armëve janë plagosur dy punonjës të kompanisë.
Ndihma e parë atyre u është ofruar nga disa pjesëtarë të FSK-së që kanë rastisur aty dhe më pas janë në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës.
Mjeku kujdestar, Naser Syla, ka thënë për KALLXO.com se gjendja e njërit prej të plagosurve është jostabile dhe është ende në sallën e operacionit.
“Njëri është në sallë të operacionit, ende janë duke punuar ekipi kirurgjik, gjendje e rëndë është e këtij pacienti, jostabile. Sipas të gjitha gjasave mjekimi i mëtutjeshëm do të vazhdojë në Mjekimin Intensiv Qendror”, tha ai.
Syla tha tutje për KALLXO.com se gjendje e të plagosurit tjetër është më stabile.
“Kurse rasti i dytë është jashtë rrezikut për jetë për momentin, është në gjendje stabile. Ky do të vendoset për tretman të mëtutjeshem në Klinikën e Kirurgjisë Torakale”, tha ai.
Policia jep detaje për tentim grabitjen e armatosur ndaj mjetit që po transportonte para