Vrasja në Vushtrri, njëri nga të plagosurit në gjendje të rëndë

Një person mbeti i vrarë dje në Vushtrri, ndërsa dy të tjerë u plagosën.

Njëri nga të plagosurit i cili po trajtohet në mjekim intensiv është në gjendje të rëndë, ka konfirmuar Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

“Njëri është transferu në Klinikën e Ortopedisë në gjendje më të mirë, ndërsa tjetri është në gjendje të rëndë duke marrë trajtim në intensiv”- ka thënë Syla për KALLXO.com.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se gjithesej janë pesë të arrestuar si të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

“Policia ka arritur t’i identifikojë dhe t’i arrestojë dy të dyshuar J.S, 24 vjeçar dhe E.B., 24 vjeçar, … Gjatë hetimeve të rastit janë identifikuar edhe tre persona te tjerë, te cilët kanë qenë të përfshirë në këtë rast”- tha Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.

Organet e rendit në vendin e ngjarjes kanë sekuestruar një armë AK 47 dhe po ashtu edhe një veturë e cila është përdorur në rast.

Me urdhër të prokurorit, personave në fjalë ju është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar nga Sektori Rajonal i Hetimeve DRP  Mitrovicë Jug, në bashkëpunim me prokurorin.

Detaje nga vrasja në Vushtrri, prokurorja vazhdon të intervistojë persona për ngjarjen