Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mesatarisht 12.5 pacientë shfrytëzuan një shtrat brenda një dite në Emergjencën e QKUK-së gjatë 2023

Mesatarisht rreth 12.5 pacientë kanë shfrytëzuar një shtrat brenda një dite në Klinikën e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2023.

Kjo ka bërë që përqindja e shfrytëzueshmërisë së shtretërve të jetë 1250.33%. Ekspertët e huaj, të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë paraparë që mesatarja e shfrytëzueshmërisë së shtretërve në QKUK duhet të jetë 85%.

Kjo shifër shkaktoi edhe të qeshura më 10.02.2024 në mbledhjen e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), në të cilën raportoi drejtori i Emergjencës, Naser Syla. Pas mbledhjes, Bordi vizitoi Emergjencën.

Emergjenca e QKUK-së është klinika që “lufton” me vdekjen, pasi që është adresa e parë për rastet më emergjente, ku pacientët zakonisht rrinë për disa orë, pas tejkalimit të gjendjes kritike, për t’u zhvendosur më pas nëpër klinika përkatëse apo në shtëpi.

Por, përveç natyrës së veçantë që ka Emergjenca, në këtë përqindje ka ndikuar edhe hapësira e vogël, të cilën Syla e përmendi si sfidë të madhe të klinikës.

Mbi 91 mijë pacientë kanë marrë shërbime në këtë klinikë gjatë vitit 2023, sipas Sylës. Prej tyre, 6987 kanë qenë të lënduar nga aksidentet në komunikacion, 69 me armë zjarri, 112 me armë të ftohta dhe 466 nga rrahjet. Numri i operacioneve të realizuara në këtë klinikë kanë qenë 1339.

Në vitin 2022, në Emergjencë janë trajtuar mbi 92 mijë pacientë. Në dy vitet e fundit ka pasur rritje të dukshme të pacientëve, krahasuar me vitin 2021, gjatë të cilit janë trajtuar rreth 65 mijë pacientë në Emergjencë.

Syla u ankua para bordit edhe për numrin e pamjaftueshëm të specialistëve të emergjencës dhe për referimet pa kritere nga spitalet rajonale.

Drejtori i Emergjencës tha se është shqetësues edhe interesimi i vogël i doktorëve për t’u specializuar në këtë fushë.

Sipas raportimit të tij, Emergjenca ka 33 specialistë, prej tyre 23 të emergjencës, 6 internistë dhe 4 kardiologë. Numri i infermierëve është 68.

Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi përmendi se QKUK ka ndarë rreth 779 mijë euro për renovimin e klinikës. Tenderi është hapur, por kontrata nuk është nënshkruar ende.

Foto: Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), Facebook

Bordi i ShSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.

Në këtë mbledhje ishin prezentë edhe Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari. Ndërsa, munguan Naim Bardiqi dhe Besim Demolli.