Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Tensionohet’ Fakulteti Ekonomik, thirret mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit pa dekanin

Një situatë tensionuese është duke mbizotëruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në këtë fakultet, disa anëtarë të Këshillit të Fakultetit nuk po munden të gjejnë ‘një gjuhë’ të përbashkët me dekanin, Fatos Ukaj tash e disa kohë.

Sot, në hapësirat e Fakultetit Ekonomik është thirrur një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Fakultetit. Por, kjo mbledhje nuk është thirrur nga ana e dekanit të Fakultetit, Fatos Ukaj, si udhëheqës i mbledhjes, por nga disa anëtarë të tjerë të Këshillit dhe iniciues i kësaj mbledhje është shefi i departamentit të Menaxhmentit, Besnik Krasniqi.

Inicuesi i kësaj mbledhje, Besnik Krasniqi, nuk pranoi që të japë detaje rreth kësaj çështje, por shkurt tha se mbledhja ka për qëllim zgjidhjen e situatës së Fakultetit Ekonomik.

“Kjo mbledhje është thirrë për me i bë zgjidhje Fakultetit. Çka ka ndodhë saktësisht e merrni vesh në mbledhje”, tha ai për KALLXO.com.

Mbledhja e jashtëzakonshme është thirrur me një pikë të rendit të ditës “Zgjedhja e situatës së krijuar në Fakultetin Ekonomik” dhe është përmendur rëndësia dhe mundësia e votimit të fshehtë.

Kjo situatë nga ana e dekanit të Fakultetit Ekonomik, po konsiderohet si tendencioze dhe po organizohet nga disa ‘grupe’ që janë formuar kundër tij në kuadër të Fakultetit Ekonomik.

“Kjo mbledhje është tendencioze nga disa grupacione që po punojnë kundër interesave të Fakultetit. Një grup i anëtarëve të Këshillit të Fakultetit e kanë dorëzuar dje kërkesën për mbledhje të jashtëzakonshme, pasi nuk kanë marrë pjesë në një mbledhje tjetër të Këshillit që është mbajtur dje”, tha dekani për KALLXO.com.

Dekani i Fakultetit Ekonomik shtoi se në mbledhjen që është mbajtur dje, “anëtarët që e kanë thirrë sot një tjetër mbledhje të jashtëzakonshme nuk kanë marrë pjesë”.

Sipas tij, kjo është iniciuar nga ana e shefit të departamentit të Menaxhmentit në Fakultet Ekonomik, Besnik Krasniqi për disa arsye.

Një prej arsyeve që ai e përmendi janë disa pozita në Fakultetin Ekonomik, të cilat senati i Universitetit të Prishtinës, para disa ditësh mori vendim që të formojë komision vlerësues për kandidatët për pozitën 19 dhe 26 në Këshill të Fakultetit Ekonomik.

Deri tek ky vendim erdhi pasi javën e kaluar Senati i dërgoi në rishqyrtim këto lëndë në Këshill dhe ato nuk i kishin rishqyrtuar.

“Kjo mbledhje është iniciuar nga Besnik Krasniqi dhe me këtë jemi në një konflikt rreth një konkursi në të cilin, ai ka dashtë t’i diskriminojë disa kandidatë dhe unë e kam dërguar në Këshill të Etikës dhe është një formë e hakmarrjes të tij për pozitën 19 dhe 26, sepse s’ka dashtë mi pranu kandidatët, i ka diskriminuar”, tha Ukaj për KALLXO.com.

Mbledhja e Këshillit të Fakultetit është planifikuar të mbahet në 15:30.

Fakulteti Ekonomik filloi të këtë probleme qysh nga qershori i këtij viti, kur edhe u hap konkursi për staf akademik. Nga ajo kohë, një pjesë e Këshillit të Fakultetit Ekonomik, sipas dekanit, dolën kundër tij. Kjo çështje ishte ngritur edhe në mbledhjen e 14 tetorit në Senat nga ana e Dekanit, Fatos Ukaj.

“Gjithçka ka filluar me realizimin e konkursit akademik aktual, kur individët dhe grupi i tyre treguan apetitin e tyre për manipulim dhe keqpërdorim me qëllim të punësimit të afërmeve të vet dhe manipulimit të pozitave të caktuara të konkursit”, kishte thënë Ukaj në këtë mbledhje të senatit.

Ky sqarim ishte bëri pasi që rektori, Naser Sahiti, kishte kërkuar nga ai të dijë se çka po ndodhë dhe kishte thënë se situata në këtë fakultet është serioze.