Mbeten pezull disa pozita në Fakultetin Ekonomik dhe të Inxhinierisë Mekanike, Senati emëron komisionet vlerësuese

Senati i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në mbledhjen e sotme u detyrua që t’i emërojë dy komisione vlerësuese për trajtimin e tri pozitave të konkursit për staf akademik të shpallur më 14 maj.

Senati emëroi një komision vlerësues për dy pozita në Fakultetin Ekonomik dhe një komision vlerësues në Fakultetin e Inxhinerisë Mekanike për një pozitë.

Senati mori vendim që komisioni vlerësues me përbërje prej Enver Kutllovcit kryetar dhe anëtarë Ramiz Livoreka dhe Rrustem Asllani, t’i vlerësojnë pozitat 19 dhe 26 në Fakultetin Ekonomik.

Ndërsa, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike për pozitën e 11 si anëtar të komisionit vlerësues u emëruan Rexhep Selimaj, Bedri Dragusha dhe Bedri Meha.

Me këtë çështje nuk u pajtua dekani i Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike, Ahmet Shala, i cili u revoltua dhe doli nga mbledhja e Senatit para votimit të kësaj pike.

“Një komision pa nevojë jeni tu e formu. Unë duhet të tërhiqem prej mbledhjes”, tha ai.

Deri tek ky vendim erdhi pasi javën e kaluar Senati i dërgoi në rishqyrtim këto lëndë në këshilla të fakulteteve dhe ato nuk i kishin rishqyrtuar.

Senati mori kompetencat për emërime të komisioneve vlerësuese qysh nga mbledhja e 2 nëntorit, për tejkalimin e vështirësive të konkurseve për staf akademik dhe konflikteve që po ndodhin në këshilla të fakulteteve dhe në këtë mënyrë po humbin orët në disa fakultete të UP-së.

Senati i UP-së lehtëson procedurat e emërimit të komisioneve vlerësuese për staf akademik

.