Ish-senatori zviceran Dick Marty - Foto: Facebook/Cedric Wermuth

Televizioni Zviceran: Informatori që zbuloi projektin për vrasjen e Dick Martyt është i lindur në Kosovë

Emisioni “Mise au point” i Radiotelevizionit Zviceran (RTS) ka gjetur personin, i cili në fund të vitit 2020, e kishte paralajmëruar Zyrën Federale të Policisë (FedPol) se ekzistonte një projekt për ta vrarë Dick Martyn.

Personi në fjalë, rreth 50-vjeçar, ka lindur në Kosovë dhe ka punuar për shërbime informative jugosllave në vitet 1990 para se të bëhej një agjent i dyfishtë.

Që prej tridhjetë vitesh, siç raporton ueb-faqja e RTS, ai punon për shumë shërbime evropiane, sidomos belge, gjermane dhe zvicerane. Ai konsiderohet si një burim shumë i besueshëm.

Ky person kishte mësuar për ekzistimin e një komploti kundër ish-senatorit Dick Marty në vjeshtën e vitit 2020, ndërkohë që po hetonte për gjermanët ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ai menjëherë kishte hyrë në kontakt me FedPol.

Sipas një dokumenti të Ministrisë Publike të Konfederatës, të cilin RTS e ka parë, ai e informon se vrasja u është besuar serbëve “të cilët kryejnë që prej kohësh misione të tilla për shërbimet sekrete serbe dhe të cilët janë trajnuar nga këta të fundit”.

“Bëhet fjalë për profesionistë absolutë, të cilët do ta kryenin vrasjen pa lënë gjurmë. Njëri prej tyre tashmë ka futur armë në Zvicër” – kishte deklaruar spiuni.

Sipas RTS, vrasësit shpresonin se vrasja e Dick Martyt do t’i vishej institucioneve kosovare, e cila do të diskreditohej në planin ndërkombëtar.

Agjenti i dyfishtë ia ka dhënë Zvicrës emrat e porositësve të vrasjes.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat kanë dalë nga raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Gjykata Speciale është ngritur në bazë të këtyre krimeve të pretenduara.