Të shtënat me armë në Podujevë, arrestohet një person

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 14:30 policia ka marrë informatën se në rrugën “Skënder Beu” në  Podujevë ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Lidhur me këtë rast, policia e ka arrestuar të dyshuarin me inicialet O. M., 58 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

I dyshuari është intervistuar nga ana e policisë, dhe nga i njëjti është sekuestruar një revole e tipit Browing, kalibrit 7.65 mm, nga  e cila dyshohet të jetë shtënë.

Policia në vendngjarje ka gjetur tri gëzhoja.

Ndërkaq, nga hetimi paraprak që policia i ka bërë kësaj ngjarjeje është ngritur versioni dyshimit se i dyshuari për arsye të një gëzimi familjar ka shtënë me armë si formë e shprehjes së gëzimit.

“Policia konform rekomandimit të prokurorit të shtetit ka iniciuar një hetim ndaj të dyshuarit për rastin mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, në Podujevë po mbahen zgjedhjet për kryetar të kësaj komune.