Takohen Dumoshi e Ahmeti, ende s`ka lokacion për Sallën e Operës

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi janë takuar sot në Komunën e Prishtinës.

Pas takimit Ahmeti dhe Dumoshi kanë thënë para gazetarëve se kanë biseduar për çështje të ndryshme rreth investimeve në infrastrukturën kulturore e sportive në kryeqytet, por pa arritur ndonjë pajtim sa i përket çështje së lokacionit të ndërtimit të Pallatit të Operës dhe Baletit.

Ahmet e Dumoshi thanë se janë pajtuar për takim të ardhshme për të gjetur një zgjidhje më të përshtatshme rreth vendit ku do të ndërtohet objekti. Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për sallën koncertale, dhe investimet në sport në kryeqytet.

Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë gjatë konferencës për media, se me ministren Dumoshi ka biseduar për financimin e projekteve kulturore dhe sportive në kryeqytet, veçanërisht për çështjen e Sallës Koncertale dhe Pallatit të Operës dhe Baletit.

Ahmeti ka thënë se sot nuk u morën vendim sa i përket çështjes së lokacionit të Objektit të Operës, por së bashkë më ministren Dumoshi u pajtuan që në ditët në vijim MKRS t ‘i drejtohet me një letër komunës me informata të detajuara rreth proceduarve të Ministrisë për Objektin e Operës.

“Jemi në drejtime të ndryshme sepse MKRS ka shpallur konkurs për dukjen e Teatrit të Operës, ndërsa ne jemi në fazën e fundit të kalimit të planit rregullativ për Universitetin e Prishtinës në atë pjesë (lokacioni i caktuar më parë për ndërtimin e objektit të operës) kështu që ne na mbetet që t’ i ftojmë të gjitha palët në takim dhe të shohim se cili është opsioni më i mirë, dhe kjo sallë të jetë në lokacionin më të mirë të mundshëm që mund ta kemi si kryeqytet”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se është biseduar edhe për Sallën Koncertale.

“Ne kemi disa opsione. Ne kemi blerë edhe Gërminë (objektin) do ta shqyrtojmë mundësi që ta kemi një sallë më të vogël në ndërtesën ekzistuese. Por pasi të diskutojmë më MKRS për të gjitha detajet se çfarë parasheh projekti për objektin e operës dhe çfarë parasheh ideja jonë për sallën koncertale”, ka thënë kryetari Ahmeti.

Ndërsa, ministrja Dumoshi ka thënë se është pajtuar me kryetarin Ahmeti për një takim më të gjerë për të biseduar në mënyrë konkrete për Teatrin e Operës dhe Baletit.

“Biseduam edhe për Teatrin e Operës dhe Baletit, pastaj për Muzeun Bashkëkohor, për studimin për Qendrën e Tenisit, që është një nismë e komunës, por MKRS do ta mbështes për t`u ndërtuar kjo qendër, por u morëm vesh që ta kemi një takim më të gjerë dhe biseda më konkrete, sidomos për Teatrin e Operës dhe Baletit”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për sportin, mundësinë për rritjen e kapaciteteve të stadiumit të qytetit dhe ndërtimin e fushave të tenisit me ndihmesën e MKRS.

Komuna e Prishtinës dhe MKRS janë në kontest rreth lokacionit për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit.

Në 2006 Komuna i kishte dhënë në shfrytëzim MKRS një lokacion për ndërtimin e këtij objekti brenda hapësirave të Fakultetit Teknik.

Vitin e kaluar Komuna mbushi me dhe gropën e lënë nga MKRS dhe lokacionin ia ‘premtoi’ Universitetit të Prishtinës për ndërtimin e objekteve universitare.

Në nëntor të vitit të kaluar, Komuna dhe Universiteti i Prishtinës prezantuar një plan rregullativ për Zonën “Fakulteti Teknik”, në Lagjen Kodra e Diellit.

Sipas këtij plani lokacioni i caktuar për Objektin e Operës, që atëherë quhej objekti i Teatrit dhe Operës “Ibrahim Rugova”, i kalonte UP-së. Përderisa MKRS vazhdon të shpresojë në këtë lokacion.

Shpend Ahmeti: Objekti i Operës nuk do të ndërtohet te Fakulteti Teknik

.