Shpend Ahmeti: Objekti i Operës nuk do të ndërtohet te Fakulteti Teknik

Objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit nuk do të ndërtohet në lokacionin afër Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Lokacion në të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mendon të ndërtojë Shtëpinë e Operës shpejt do të ketë një ‘pronar’ të ri – Universitetin e Prishtinës.

Aty planifikohet ndërtimi i dy objekteve për nevoja të fakulteteve të këtij Universiteti.

Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka konfirmuar për KALLXO.com se ky lokacion nuk do t’i jepet MKRS për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit.

Sipas Ahmetit, ky lokacion nuk është i lirë dhe fajtor për të është MKRS, e cila nuk ka shprehur ndonjë interesim zyrtar për lokacionin pas dështimit për ndërtim sipas projektit të 2006-ës.

Këto deklarime për KALLXO.com Ahmeti i bëri gjatë prezantimit të projekt- propozimit të planit rregullues për zonën te Fakulteti Teknik.

Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Katedra e Planifikimit dhe Urbanizmit në Fakultetin e Arkitekturës, ka prezantuar të hënë (11 nëntor 2019) në mbrëmje planin rregullues të hollësishëm për Zonën “Fakulteti Teknik”, në Lagjen Kodra e Diellit.

Sipas këtij projekt- propozimi të hartuar nga profesorë të Fakultetit të Arkitekturës, në lokacioninn i cili dikur ishte dedikuar për Shtëpinë e Operës, planifikohet të ndërtohet objekti i Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës të UP-së.

”Ky lokacion do të ketë një ‘pronar’ të ri dhe përpjekjet e Ministrisë për bërjen e një projekti të ri ideor për ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit në këtë lokacion janë tentim që dhe më tutje, qysh ka qenë në të kaluarën, me i shpenzu edhe nja 1 milion euro pa folë fare me institucionet në të cilin duhet të marrë leje dhe duhet me qenë pjesë e planifikimit”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij kanë kaluar 13 vjet nga kërkesa e parë  dhe planet e Prishtinës kanë ndryshuar, toka është e Komunës së Prishtinës dhe MKRS nëse kërkon diçka kërkesën duhet ta dërgojë në Komunë.

“Ne e shqyrtojmë kërkesën sipas proceduarave të Komunës, por ai vend më aty nuk është i lirë. E them si kryetar se vendimet i marrim edhe në Kuvendin Komunal”, ka pohuar Ahmeti për KALLXO.com.

Kundër ndërtimit të Objektit të Operës në afërsi të Fakultetit Teknik kanë dalë edhe banorë të lagjeve “Mati 1”, “Kodra e Diellit” dhe “Ulpiana”.

Banorë të këtyre lagjeve, të cilët kanë nënshkruar edhe një peticion,  kanë pohuar se hapësira përrreth Fakultetit Teknik shfrytëzohet nga shumë qytetarë të Prishtinës dhe kanë kërkuar nga Komuna që kjo hapësirë të ruhet dhe të ridestinohet si park.

“Peticioni është nënshkruar nga mijëra banorë të lagjeve dhe do t’i dorëzohet Komunës së Prishtinës dhe Universitetit të Prishtinës”, ka thënë për KALLXO.com Bleron Limani, iniciator i peticionit.

Në anën tjetër, zyrtarë të MKRS nuk i janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me lokacionin për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit.

Por, zyrtarë të kësaj ministrie vazhdimisht janë shprehur  se nuk heqin dorë as nga ndërtimi i këtij objekti e as nga lokacioni në afërsi të Fakultetit Teknik.

Ndërkohë MKRS është në fazën finale të përzgjedhjes së një projekti të ri ideor për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Katedra e Planifikimit dhe Urbanizmit e Fakultetit të Arkitekturës, ka prezantuar sot në mbrëmje propozim-projektin për planit rregullues të hollësishëm për zonën te Fakulteti Teknik, në Lagjen “Kodra e Diellit”.

Prezantimi i projektit është bërë nga Ilir Gjinolli, anëtar i ekipit projektues të projektit, ndërsa është përcjellë edhe me reagime të ndryshme nga qytetarët, brengat e të cilëve kryesisht kishin të bënin me rrudhjen e hapësirave të gjelbëruara dhe për shfrytëzim nga banorët e lagjeve.

Plani rregullues për zonën “Fakulteti Teknik”, i hartuar nga profesorët e Fakultetit të Arkitekturës për të plotësuar nevoja e UP-së, do të dërgohet në ekzekutivin e Prishtinës dhe nëse pranohet do t’i kalojë edhe dy faza në Kuvendin Komunal të Prishtinës deri të marrë aprovimin zyrtar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës.