Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ish-ministrja Dumoshi kërkoi që të paguhet bredhi i blerë në vitin 2020, Ministria e Kulturës thotë se ai u ble pa procedura të prokurimit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka konfirmuar se nuk është kryer pagesa për një bredh të blerë në vitin 2020 në kohën kur ministre e këtij dikasteri ishte Vlora Dumoshi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me arsyetimin se bredhi është blerë pa procedura të prokurimit.
Çështja e mospagesës së bredhit është përmendur nga vetë ish-ministrja Dumoshi në një mbledhje të Komsionit Parlamentar për Kulturë, Rini dhe Sport.
MKRS-ja në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se bredhi është blerë pa procedura të prokurimit. Në përgjigjen e Ministrisë thuhet se bredhi është blerë “Te Fatosi SHPK” më 13 dhjetor të vitit 2020 dhe se çmimi i tij ishte 546.70 euro.
“Mbështetur në dokumentacionin që e posedon Zyra e prokurimit, përmes procedurave të prokurimit nuk është blerë bredh në kohën kur znj. Dumoshi ka qenë ministre. Ka ekzistuar një faturë e kompanisë ‘Te Fatosi’ 546.70 Euro për blerjen e bredhit por që pagesa e saj nuk është ekzekutuar asnjëherë si rezultat i mungesës së procedurave të prokurimit dhe si i tillë e merr karakterin e lëndës për mosrealizim të pagesës” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Gjatë një takimi të Komsionit Parlamentar për Kulturë, Rini dhe Sport, ish-ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, tash deputete e LDK-së, kërkoi nga ministri aktual i MKRS-së, Harulla Çeku, që të paguhet bredhi.
KALLXO.com ka pyetur MKRS-në për arsyet e mospagesës së këtij bredhi, nga kush është porositur blerja e bredhit dhe mënyrën e blerjes së tij.
“Mbështetur në komunikimet verbale në të kaluarën, ky bredh është blerë nga këshilltarët dhe stafi i znj. Dumoshi” – thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.
Ministria ka theksuar tutje se bredhi nuk do të duhet të paguhej përderisa nuk janë respektuar procedurat e prokurimit.
“MKRS nuk e ka paguar bredhin si rezultat i mungesave të dokumentacionit përcjellës, në këtë rast procedurave të prokurimit. MKRS as në të ardhmen nuk do të duhej ta paguante këtë faturë, përderisa nuk janë respektuar procedurat e prokurimit, në këtë rast realizimi total i pagesës mbetet çështje e pa trajtuar” – vijon përgjigjja e tyre për KALLXO.com.
KALLXO.com ka pyetur edhe deputeten e LDK-së, Vlora Dumoshi, nëse ajo si ministre në atë kohë, ishte në dijeni rreth porosisë dhe proceduarave për blerjen e bredhit.
Ajo i ka thënë KALLXO.com se nuk ka e di se si është blerë ky bredh, por vetëm është njoftuar se nuk është paguar.
“Unë kam dëgjuar që bredhi nuk është paguar, blerja është bërë përmes Zyrës së Prokurimit, këshilltarët e mi e kanë pasur të ndaluar me komuniku me zyrtarë të tillë. Zyra e ministrit nuk merret me çështje të tilla, janë organet tjera të cilat i bëjnë këto (blerjet)” – tha ajo për KALLXO.com.
KALLXO.com ka kërkuar përgjigje lidhur me këtë çështje dhe nga ish-këshilltarët e ish-ministres Dumoshi.
KALLXO.com ka provuar të marrë versionin e Gentiana Azemit, këshilltare e Vlora Dumoshit sa ishte ministre e Kulturës dhe ish-zyrtarit kryesor të Prokurimit në MKRS, lidhur me mënyrën se si është blerë bredhi në vitin 2020.
Por, Gentiana Azemi nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga KALLXO.com në lidhje me blerjen e bredhit deri në publikimin e këtij artikulli.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Burim Reçicën, ish-zyrtar i Prokurimit në MKRS. I njëjti ka rekomanduar KALLXO.com që për këtë çështje t’i drejtohet MKRS-së.
“Për këtë çështje drejtohuni te Zyra e Prokurimin në MKRS” – ka thënë Reçica.
KALLXO.com ka kontaktuar Bajram Hysenin, pronarin e kompanisë “Te Fatosi” SH.P.K., ku edhe është bërë blerja e bredhit, për të marrë një përgjigje për mënyrën se si është porositur bredhi.
Hyseni rekomandoi që për këtë çështje të kontaktohet menaxheri i kompanisë “Te Fatosi” SH.P.K.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me menaxherin e e kompanisë, por ai ka shkurt ka thënë se nuk ka kohë të merret me këtë çështje.
“Nuk kam kohë me u marrë më këtë, nuk kam koment shumë thjesht nuk kam koment” – ka thënë ai.