Vlora Dumoshi sa ishte ministre e Kulturës, Foto: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/ Facebook, 14 dhjetor 2020

Dumoshi i kërkon ministrit Çeku të paguhet bredhi që ishte blerë në kohën kur ajo ishte ministre e Kulturës

Një bredh ishte blerë nga Ministria e Kulturës për festat e fundvitit në vitin 2020, në kohën kur në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ishte Vlora Dumoshi.

Por, ky bredh i blerë në vlerë prej 570 euro, sipas ish-ministres, nuk është paguar ende.

Të martën, në mbledhjen e Komsionit Parlamentar për Kulturë, Rini dhe Sport, në të cilën ka raportuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ish-ministrja Dumshoi, tash deputete e LDK-së, përkatësisht edhe anëtare e Komisionit, kërkoi nga ministri aktual Çeku, që të paguhet bredhi.

Ajo tha se është në presion për ta bërë pagesën, pa dhënë më shumë detaje. Në mbledhje të Komisionit, ajo nuk tregoi se nga kush është blerë bredhi dhe kush po i bënë presion për ta bërë pagesën.

“Ministër, të lutem paguajeni bredhin, ose po e paguaj unë 570 euro, sepse po më bëjnë presione” – tha Dumoshi, drejtuar ministrit Çeku.

Kurse ministri Hajrulla Çeku (LVV), tha se do të provojnë të zgjidhin problemin, duke shprehur habi se pse nuk është paguar bredhi.

“S’është paguar…?! Po provojmë me zgjidhë këtë problem, po mirë që e paskemi përdorë (bredhin) edhe ne”, ishte reagimi i ministrit Çeku, pas kërkesës së Dumoshit.

KALLXO.com e ka kontaktuar ish-ministren Dumoshi për të marrë më shumë informacione në lidhje me çështjen e blerjes së bredhit.

Ajo ka thënë se bredhi është blerë më 2020 dhe se ajo është informuar se i njëjti nuk është paguar dhe se për këtë, ajo po ndihet keq.

Tutje, ish-ministrja thotë se nuk ka presion direkt për këtë çështje.

“Bredhi është blerë më 2020 përmes Zyrës së Prokurimit, me procedurë të rregullt. Nuk kam presion direkt, por jam e informuar se ky bredh nuk është paguar dhe po ndihem keq. Ata po i kërkojnë paratë e tyre. Bredhi është paguar 570 euro, qashtu. Bredhi është prezantuar në zyrat e MKRS-së” – tha ajo për KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Kulturës për të marrë më shume detaje se nga kush, kur dhe si është blerë bredhi, dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Në Qeverinë Kurti 1, në koalicionin qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi nga LDK-ja, ishte ministre e Kulturës.