Dumoshi e LDK-së pretendon se Kurti i tha “deshta me të këqyrë”, i përgjigjet Kurti

Përderisa në Kuvendin e Kosovës kryeministri Albin Kurti po raporton për dialogun Kosovë-Serbi, një diskutim ka ndodhur mes dy deputetëve të LDK-së dhe Kurtit.

Kurti në fjalën e tij i është drejtuar opozitës duke i thënë se mund të ju japë dije por jo edukatë, kurse ndaj kësaj deklarate, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, u kundërpërgjigj duke thënë se ajo që kryeministri bëri gjatë fjalës së deputetes Vlora Dumoshi nuk ishte edukatë.

“Për edukatën të kisha lutë kryeministër, veç me kallëzu si u sjelle me deputeten Dumoshi dhe çka i the mas shpine dhe a është edukatë ajo? Apo më edukatë është me u çu përballë teje dhe me thënë po mendoj kryeministër që e ki gabim mënyra se si je tu folë, pra kjo çka je tu bo është e pandershme dhe e padinjitetshme dhe e papranueshme”- ka thënë Gashi.

Paraprakisht deputetja Dumoshi në fjalimin e saj tha se “nuk e ka besu që ka me ardhë dita kur Albin Kurti e mbron dhe arsyeton Asociacionin, më falni, Zajednicën”.

Gjatë fjalimit të saj Kurti është ngritur në këmbë dhe pas deklaratës së Gashit, Kurti tha se është ngritur në këmbë për të parë se nëse deputetja Dumoshi e ka përfshirën fjalën “më falni”, në fjalimin e saj që po e lexonte në foltore.

“Është e vërtetë kur deputetja Vlora Dumoshi e mori fjalën, e tha një fjali, dhe ia pashë këtu tekstin me shkronja të mëdha, kjo tha “Asociacioni, më falni Zajednica”, unë u ngrita në këmbë me e pa a e ka shkru fjalën “më falni””- tha Kurti.

Dumoshi në kundërpërgjigje të Kurtit tha se ky i fundit nuk po e thotë të vërtetën pasi sipas saj, kryeministri i ka thënë se “deshta me të këqyrë”.

“Kryeministër kjo është e padrejtë që ti ndërhyn tek deputetët dhe nuk je ka e thu të vërtetën, kur të thash “çka deshte kryeministër”, më the “deshta me të këqyrë”, pastaj the “deshta me të kqyrë se e ke shkru fjalinë e jo më fal Zajednica”. Ajo ke ironi kështu që ju thatë që ta shoh fjalinë. Hera e parë edhe e fundit që më afroheni, jo vetëm ti por askush tjetër. Fajet i ka kryetari i Kuvendit i cili unë kam prutë që do reagojë”- tha Dumoshi.

Kurse kryeparlamentari, Glauk Konjufca, tha se nuk i është dukur kërcënim veprimi i kryeministrit.

“Nuk ishte kërcënim, nuk mu duk ashtu”- tha shkurt Konjufca në kundërpërgjigje të deputetes së LDK-së.

Në Kuvendin e Kosovës ende është duke vazhduar raportimi i Kurtit për takimin e fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.