Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri i përgjigjet Kusari-Lilës: Një komision hetimor për energji e ka çu në burg Nagip Krasniqin

Rëndësia e komisioneve hetimore të formuara për sektorin e energjisë ka ngjallur debat sot në Kuvendin e Kosovës mes kryetarëve të grupeve parlamentare të LVV-së e PDK-së.

Shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se opozita nuk ka ofruar zgjidhje për sektorin e energjisë duke propozuar seanca të jashtëzakonshme e komisione hetimore.

Ndërsa shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri tha se si rezultat i një komisoni hetimor është arrestuar një zyrtar i lartë i LVV-së.

“Mimozë, një komision hetimor për energji jau ka çu në burg një zyrtar të lartë të LVV-së, Nagip Krasniqin. Ky i dyti që do ta formojmë do të shohim kë do ta qoj, por jam i bindur që edhe këtu dikush do të përfundojë në burg”- u shpreh ai.

Kjo përgjigje e Tahirit erdhi pas kritikave të Kusari – Lilës e cila tha se kërkesa e opozitës për debat lidhur me çmimin e energjisë elektrike nuk përmban ndonjë risi nga opozita.

Ajo e ka quajtur jo serioze rezolutën e përbashkët të propozuar nga PDK, LDK dhe AAK.

“Rezoluta e prezantuar nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes, kjo nuk është risi pasi zgjidhjet e vetme që i keni ofruar kanë qenë, seanca të jashtëzakonshme për sektorin e energjisë, komisionet hetimore në mesin e krizës, ndërsa në vazhdimësi keni abstenuar në zhvillimin e politikave në sektorin e energjisë. Sfidat shumë vjeçare të këtij sektori janë përgjegjësi edhe e juaja nga dekada e fundit” – tha Kusari Lila.

Kusari – Lila: Rezoluta e opozitës nuk është serioze dhe nuk ofron zgjidhje në sektorin e energjisë

Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi i Korportatës Energjetike të Kosovës (KEK)  ishte arrestuar më 19 prill 2023, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

Gjykata e Prishtinës më 20 prill të këtij viti kishte caktuar një muaj paraburgim për kryeshefin e KEK-ut, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të datës 20 prill 2023, dyshohet se Nagip Krasniqi prej  vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

Kurse, më 15 shtator 2023, është liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Këtë për KALLXO.com e kishte konfirmuar avokati i tij, Virtyt Ibrahimaga.

Avokati njoftoi se gjykimi i Krasniqit do të vazhdojë në procedurë të rregullt dhe i është vendosur masa e sigurisë që t’i ndalohet afrimi ndaj dëshimtarëve të rastit.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i gjeni duke klikuar në LINK.