Tahiri: Besoj që mocioni për rrëzimin e Qeverisë jetësohet në shtator

Kreu i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, në sesionin vjeshtor, do ta nisin me mocion për rrëzim të Qeverisë së Kosovës.

Sipas Tahirit ka një dakordim edhe nga partitë opozitare.

“Kjo Qeveri meriton të shkojë në shtëpi, ne si opozitë duhet të mblidhemi ta shtyjmë mocionin përpara ka një dakordim dhe një kuptim edhe nga partitë opozitare. Mendoj që seancën që po fillon në shtator duhet ta nisim me mocion për rrëzim të kësaj Qeverie”- ka thënë Tahiri.

Deputeti ka deklaruar se ka gatishmëri edhe nga deputetë individualë për votën pro shkarkimit të Qeverisë, teksa shtoi se mocionin do ta jetësojnë pa Listën Serbe.

“Unë kam pasur diksutime me shefa të grupeve parlamentare dhe ka një gatishmëri nga ta për mocionin. Ka gatishmëri nga deputetë individualë që kanë konfirmu votën mirëpo e kemi thënë se nuk do e bëjmë rrëzimin dhe shkarkimin e Qeverisë me Listën Serbe pra duhet ta bëjmë me deputetë shqiptarë dhe me ata të pakicave. Besoj që mocioni do të jetësohet në shtator”- është shprehur Tahiri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po kërkon shkarkimin e Qeverisë përmes mocionit të mos-besimit, duke kërkuar edhe ndihmën e deputetëve të shumicës.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj konsideron se mocioni për shkarkimin e Kurtit “është interes kombëtar”.

Mobilizimi i opozitës kundër Kurtit