Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla thotë se serbët në veri të vendit po ndëshkohen përmes arrestimeve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Beogradi zyrtar po përndjekë dhe akuzon serbët në Kosovë që janë angazhuar në institucionet e Kosovës.

Tutje, Sveçla tha se ata po ndëshkohen përmes arrestimeve.

“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion i’u kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme” – tha ai përmes Facebook-ut të shtunën.

Sipas ministrit të Brendshëm, qëllimi i Serbisë është destabilizimi i vendit.

“Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre” – tha ai.

“Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta” – deklaron Xhelal Sveçla.