Foto: KALLXO.com

Sveçla publikon emrat e të dyshuarve për drogë, kërcënime ndaj policisë e qytetarëve në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë publik emrat e pronarëve siç thotë ai të laboratorëve të drogës në veri të vendit.

Sipas Sveçlës, të njëjtit janë të përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në ngritjen e barrikadave e në kërcënimet e sulmet ndaj serbëve që kanë refuzuar të bashkëpunojnë me ta.

“8 laboratorë droge janë shkatërruar brenda mandatit tonë, vetëm sot janë shkatërruar 3 sosh. Pronarët e tyre: Miljan Delevic, Ivan Slavic, Dusan Slavic e Nikola Filgjokic, janë të përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në ngritjen e barrikadave e në kërcënimet e sulmet ndaj serbëve që kanë refuzuar të bashkëpunojnë me ta” – ka shkruar ai në Facebook.

Minstri ka shpërndarë edhe disa fotografi, duke thënë se të lartpërmendurit, pas sulmit ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës janë vizituar nga Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Milos Vucevic, nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa sipsa tij mbështeteshin e mbroheshin nga Lista Serbe e Milan Radojciq.

“Qenkan trazuar këtë të dielë Lista Serbe dhe Petkovic me disa reagime. Çështja në fjalë është e thjeshtë. Me laboratorë droge, trafikantë e kriminelë si mjete politike, fasada e rrejshme nuk zgjatë më shumë se deri te aksioni i radhës i Policisë së Kosovës.

Ministrat e Serbisë të përfshirë në këto instrumentalizime me banda kriminale sonte do të dëshironin mos të ekzistonin këto foto e video. Por ato ekzistojnë dhe janë dëshmi e fortë se çfarë fshihet pas “politikës” së tyre”- ka shkruar Sveçla.

Policia e Kosovës arrestoi të dielën dy persona të nacionalitetit serb në kuadër të operacionit “Shpata”, ndërsa zbuloi dhe shkatërroi tre laboratore të drogës në Mitrovicën e Veriut, në vlerë prej rreth 2.3 milionë euro.

Bashkëpronari i laboratorit të drogës të zbuluar në veri, i dyshuar për mbi 80 vepra penale