Laboratori i drogës në veri të Mitrovicës, më 12 shkurt 2023 Pamjet: Policia e Kosovës

Bashkëpronari i laboratorit të drogës të zbuluar në veri, i dyshuar për mbi 80 vepra penale

Policia e Kosovës arrestoi të dielën dy persona të nacionalitetit serb në kuadër të operacionit “Shpata”, ndërsa zbuloi dhe shkatërroi tre laboratore të drogës në Mitrovicën e Veriut, në vlerë prej rreth 2.3 milionë euro.

Pas aksionit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se bashkëpronar i njërit prej laboratorëve është D.S., i dyshuar edhe se kishte sulmuar Policinë e Kosovës muajin e kaluar në Leposaviq.

Sipas ministrit, njëri nga të arrestuarit në këtë operacion, është vëllai i D.S.

“Policia e Kosovës sot ka shkatërruar 2 laboratorë të drogës në Mitrovicën e Veriut. Bashkëpronar i njërit prej tyre është D.S., i cili sulmoi policët e Kosovës muajin e kaluar. Ai është pjesë e bandave që marrin urdhra nga krimi i organizuar në Serbi. Këto janë të mbështetura dhe të mbrojtura nga Vuçiq, Petkoviç. Ata po përpiqen të destabilizojnë vendin tonë me këto banda kriminale”- ka shkruar ministri në Twitter.

KALLXO.com mëson se bashkëpronari i një prej laboratorëve të drogës në veri, i përmendur nga ministri Sveçla vetëm me iniciale, është Dushan Slaviq 32-vjeçar, i dyshuar për mbi 80 vepra penale.

Muajin e kaluar, Slaviq dyshohet se ka qenë i përfshirë në një incident në Bistricë të Leposaviqit, ku u sulmua vetura me zyrtarë të Policisë së Kosovës, pasi të dyshuarit tentuan t’i shmangen postbllokut policor.

Për incidentin e 23 janarit në veri, Policia e Kosovës kishte njoftuar se kishte identifikuar dy persona të dyshuar, verifikimet e të cilëve kanë rezultuar me përfshirjen në veprimtari kriminale.

Sipas policisë, i dyshuari i parë ishte Dushan Slaviq dhe se ai dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, në mesin e tyre vrasje, detyrim, kanosje, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, grabitje, etj.

“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje” – thuhej në njoftimin e policisë më 23 janar 2023.

Tri laboratore të drogës, u zbuluan nga Policia e Kosovës më 12 shkurt 2023, në një operacion anti-drogë të koduar me emrin “Shpata”.

Për këtë operacion, ministri i Brendshëm përgëzoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës.