Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sveçla përgënjeshtron Hoxhajn për mini-shengenin

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla e ka përgënjeshtruar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, për mini-shengenin.

Gjatë ditës së sotme Hoxhaj ka shkruar në Facebook, se kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim për nisjen e zbatimit të mini-shengenit, duke potencuar se me dorën e tij Kurti e nisi Jugosllavinë e re.

Përmes llogarisë së tij në Facebook, ministri Sveçla ka shkruar se vendimi ka të bëjë me nismën në kuadër të procesit të Berlinit në të cilën Kosova duhet të jetë palë e barabartë.

“Vendimi në mbledhjen e sotme nuk ka të bëjë fare me mini-shengen, por ka të bëjë me nisma në kuadër të procesit të Berlinit në të cilat Kosova duhet të jetë palë e barabartë. Procesi i Berlinit është ide dhe nismë e Kancelares Merkel, kurse zona mini-shengen apo më saktë Novi Sad është ide e Vuçiq dhe mbështetet nga ai. Qeveria e Kosovës mbështet bashkëpunimin rajonal mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit mes palëve”, ka shkruar Sveçla në Facebook.