Sveçla: Kërkojmë nga Serbia t'i dorëzojë terroristët që po trajtohen në Novi Pazar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka kërkuar nga autoritet serbe t’i dorëzojë pjesëtarët e grupit terrorist që janë duke u trajtuar në Novi Pazar.

Sveçla tha se sipas informacioneve që kanë gjashtë pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që sulmuan të dielën Policinë e Kosovës, janë duke u trajtuar në spitalin e Novi Pazarit.

Ai tha se kërkojnë nga Serbia që këta gjashtë persona dhe nëse ka persona të tjerë që kanë ikur në Serbi, t’i dorëzojnë tek autoritet kosovare në mënyrë që ata t’i përgjigjen drejtësisë.

“Gjashtë terroristë të plagosur janë duke u trajtuar në Novi Pazar. Ne kërkojmë nga Serbia që këta persona t’i dorëzojë tek autoritet e Kosovës në mënyrë që t’i përgjigjen drejtësisë. Dorëzimin e këtyre gjashtë personave apo çfarëdo pjesëtari të këtij grupi që ka mundur të largohet, kërkojmë nga Serbia t’i dorëzojë” – ka thënë ai.

Ministri Sveçla ka theksuar se asnjë person civil nuk është lënduar nga aksioni i Policisë së Kosovës dje në Banjskë të Zveçanit.

Ai tha se falë profesionalizimit të Policisë së Republikës së Kosovës plani i grupit terrorist sipas tij të dirigjuar nga Beogradi ka dështuar.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Agrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Prova të reja, pajisje e materiale janë gjetur e konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati  shkëmbime me armë zjarri mes një grupi terrorist dhe Policisë se Kosovës.