Sveçla: Kemi evidentuar raste kur veturat me targa ilegale janë riregjistruar në dhjetor

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia po e shkel dakordimin për targa, të bërë në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Sveçla ka thënë se Policia Kufitare ka evidentuar disa raste të veturave me targa ilegale “KM”, të cilat janë riregjistruar në muajin dhjetor të vitit 2022.

Ministri i Punëve të Brendshme ka theksuar se veturat e riregjistruara nuk do të lejohen të territorin e Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022.Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim.Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës”- ka shkruar Sveçla në facebook.

Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – më 23 nëntor kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Sipas marrëveshjes Serbia nuk do të lëshojë më targa me shkurtesa të qyteteve të Kosovës.