Sveçla i reagon Borrellit: Asnjë arrestim nuk bëhet jashtë ligjit, kryeje rolin si ndërmjetësues
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar ndaj deklaratës së përfaqësuesit të lartë Evropian, Josep Borrell i cili i quajti jashtë gjyqësore arrestimet e serbëve në veri nga Policia e Kosovës.
Sveçla në një konferencë për media në Mitrovicë të Jugut u shpreh se asnjë veprim i policisë nuk bëhet jashtë ligjit.
Ai kërkoi nga Borrell që të kryejë rolin e tij si ndërmjetësues në dialog.
“Asnjë veprim i policisë dhe për këtë kam marr garanca nga zyrtarët policor të kyqur në këtë proces, nuk bëhet jashtë ligit. Çdo veprim është i bazuar në ligje dhe procedura të policisë së Kosovës. Unë ftoj Borrelin që të adresojë drejt agresonin e Serbisë ndaj Kosovës. Të luaj rolin e tij si ndërmjetës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe me deklarata të përgjithshme të parandalojë çfarëdo eskalimi të situatës dhe trimërim të këtyre grupeve kriminale”- u shpreh Sveçla.
Tutje, ministri theksoi se ishte vetë Borrell që kërkoi arrestim për sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it.
“Deklarimet e Borrell janë absolutisht të paqëndrueshme, varen prej interesave në momente të caktuara, ishte vetë Borrell që kërkonte që sulmuesit te KFOR të arrestohen”- shtoi tutje Sveçla.
Edhe drejtori i policisë Gazmend Hoxha u shpreh se nuk kryejnë arrestime për hetim dhe pa u bazuar në procedura ligjore të policisë.
“Të gjitha veprimet tona policore janë të bazuara në ligj, përfshirë edhe arrestimet, bëhen përmes një procesi të hetimeve ku janë siguruar informacione që u janë përcjellë institucioneve të drejtësisë. Asnjë arrestim nuk është arbitrar, po arrestojmë persona që kanë sulmuar policë, KFOR-in, gazetarë”- tha ai.
Ndaj deklarimit të Borrell ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila kërkoi të dijë nëse BE po kërkon që të mos arrestohen ata persona që sulmuan ushtarë të NATO-s.
“A po bën thirrje BE-ja për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n? Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar sot ka marrë pjesë në sulmin kundër NATO-s më 29 maj. Arrestimi u bë në bazë të nenit 71 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kështu që nuk ka asgjë jashtëgjyqësore”- ka shkruar Gërvalla.
Borrell: Shumë i alarmuar me situatën në veri, arrestimet e serbëve e marshin e FSK-së në Mitrovicë