Koncerti i Dua Lipës në Prishtinë. Foto: Dua Lipa/Instagram

‘Sunny Hill’ do të mbahet në Gërmi, sërish

Festivali i muzikës “Sunnuy Hill” do të mbahet për katër ditë rresht në kryeqytet këtë vit.

Organizatorët e festivalit, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë vendosur që më 4,5, 6 dhe 7 gusht 2022 “Sunny Hill” të mbahet në parkun e Gërmisë, siç ishte mbajtur edhe viteve të më hershme.

Për këtë, në një deklaratë të përbashkët, u tha se janë siguruar edhe lejet e nevojshme.

“Për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, Sunny Hill Festival këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali”, thuhet në deklarim.

“Sunny Hill Festival zotohet se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar, dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival”, vijon njoftimi.

“Sunny Hill” këtë vit do të mbahet edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, më 26, 27 dhe 28 gusht.

Më 14 qershor 2022 u tha zyrtarisht se festivali “Sunnyhill” nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur për në Tiranë.

Kjo pasi sipas organizatorëve të këtij festivali, ka pasur vonesa të shumta administrative për lokacionin e duke shkaktuar vonesa edhe në organizimin e saj në datat e caktuar.

Anulimi i mbajtjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë ka nxitur reagime e institucionet po ia hedhin fajin njëra tjetrës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se deri të anulimi ka ardhur “nga zvarritjet e Qeverisë”, dhe sipas tij, ekzekutivi ka tentuar të “ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës”.

Ndërkaq, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal u deklarua duke thënë se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë por që ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë nga Komuna e Prishtinës.

Më 10 maj, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite.