Koncerti i Dua Lipës në Prishtinë. Foto: Dua Lipa/Instagram

Reagon qeveria: I kemi kërkuar Komunës së Prishtinës sqarime dhe dokumentacion shtesë

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është deklaruar në lidhje me anulimin e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë duke thënë se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë por që ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë nga Komuna e Prishtinës.

“Lidhur me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim sqarojmë se, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal Vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim. Po ashtu njoftojmë opinionin publik se MAPL nuk e anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë”, thuhet në komunikatën e MAPL-së.

Në njoftimin e MAPL-së thuhet se në fillim të vitit, kjo ministri ju ka mundësuar të gjitha komunave, përfshirë edhe Prishtinën, shpalljen e listës së pronave që do të jepnin në shfrytëzim deri më 31 mars 2022.

“Ani pse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore”, njofton MAPL.

MAPL është shprehur se në lidhje me dhënien e pronës në shfrytëzim për 99 vite, kanë pranuar reagime nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces, duke shtuar se janë ende në pritje të përgjigjeve të cilat i kanë dërguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

“Duam po ashtu të theksojmë se për këtë akt dhe mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim për 99 vite ne kemi pranuar reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces. Megjithatë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të trajtojmë me interes dhe seriozitet aktin në fjalë. Aktualisht Ministria jonë është në pritje të përgjigjes në pyetjet që i kemi dërguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama”, bëhet e ditur në komunikatë.

Tutje, MAPL ka theksuar se janë në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë.

“Duke e ditur rëndësinë e cilitdo investim madhor dhe nevojës për projekte serioze dhe gjithnjë përmes procedurave siç parashohin ligjet dhe rregulloret, por edhe në përputhje me interesin dhe mënyrën e shfrytëzimit të pronës publike ju njoftojmë se jemi në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë”, ka thënë MAPL

Këto janë dokumentet esenciale që sipas MAPL-së mungonin në aplikacion për të cilat kanë kërkuar po ashtu sqarime shtesë:

  1. a) Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit;
  2. b) qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin 23 të Rregullores (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

Festivali “Sunnyhill” nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur për në Tiranë.

Kjo pasi sipas organizatorëve të këtij festivali, ka pasur vonesa të shumta administrative për lokacionin e duke shkaktuar vonesa edhe në organizimin e saj në datat e caktuar. Në Tiranë do të mbahet më datat e parashikuara nga fillimi, 4-7 gusht.

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka reaguar pasi festivali “SunnyHill” nuk do të mbahet në kryeqytet.

Rama ka thënë se kjo është shkaktuar “kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë”, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

Sipas tij, dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

“Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka shkruar Rama.

Anulohet festivali ‘Sunny Hill’, nuk do të mbahet në Prishtinë