Komuna e Prishtinës i jep Festivalit 'Sunny Hill' 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vite

Me 26 vota pro, 19 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite.

Kjo pikë e rendit të ditës është përcjellë me diskutime të shumta nga asamblistët opozitarë – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR).

Sepse, sipas tyre, 99 vite janë shumë për t’i dhënë në shfrytëzim një festivali një pronë që nuk mund ta shfrytëzojnë festivalet tjera kryeqytetase.

Sipas propozimmarrëveshjes, evente që lejohen të organizohen nga Komuna janë evente të muzikës klasike, xhaz muzikë, të Filarmonisë së Kosovës etj.

Në rast se kjo ndodh, 30 për qind të profitit nga të hyrat e aktiviteteve të organizuara nga Komuna e Prishtinës i takojnë Komunës.

Eventet e organizuara nga Komuna e Prishtinës nuk guxojnë ta kalojnë kapacitetin prej 3,000 personave.

Marrësi në këtë rast “Sunny Hill” nuk ka të drejtë që të ndërtojë objekte jashtë planit të miratuar të biznesit dhe nuk ka të drejtë që të ndryshojë qëllimin e destinimit të pronës në shfrytëzim.