Emel Qehaja-Elshani, mësimdhënëse e lëndës së Teknologjisë informatike në shkollën fillore “Selman Riza” në Fushë Kosovë

Suksesi kundër stigmës, rrëfimi i mësimdhënëses së parë në Fushë-Kosovë nga komuniteti egjiptian

Në komunën e Fushë-Kosovës, këtë vit, për herë të parë është punësuar një mësimdhënëse nga komuniteti egjiptian.

Të dhënat nga Ministria e Arsimit tregojnë se në tërë territorin e vendit janë vetëm 22 mësimdhënës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Sipas shifrave, 10 mësimdhënës janë nga komuniteti rom, 7 nga komuniteti ashkali dhe 5 nga komuniteti egjiptian.

Në konkursin i cili u hap në fillim të këtij viti, mësimdhënësja Emel Qehaja-Elshani doli si më e poentuara nga një komision komunal. Kështu, që nga fillimi i vitit shkollor, Qehaja-Elshani është mësimdhënëse e lëndës së Teknologjisë Informative në shkollën fillore “Selman Riza” në Fushë-Kosovë.

Ajo thotë se rruga deri këtu nuk ishte e lehtë por ëndërr e kishte gjithherë që të bëhej mësimdhënëse.

“Gjatë studimeve unë kam nisë përvoja të ndryshme, kam dhënë kontributin tim në një qendër mësimore në Gjakovë, një vit kam punuar si tutor, si ndihmëse dhe pas një viti kam shkuar si fasilitatore, ku kam punuar me  detyra të nxënësve, krahas studimeve” – thotë ajo në një intervistë për “Kallxo Përnime”.

Kur vendosi të aplikojë, Qehaja-Elshani thotë se kishte besim në veten e saj.

“Asnjëherë nuk kam qenë e paangazhuar, së fundmi e pash konkursin dhe aplikova, duke e ditë  që ka interesim të madh, po thash po e provoj” – rrëfen ajo.

Emel Qehaja-Elshani, mësimdhënëse e lëndës së Teknologjisë informatike në shkollën fillore “Selman Riza” në Fushë Kosovë

“Ke befasuese kur e pash emrin në listë por unë e kisha vetëbesimin, thoja po, kam me arritë. Ke një rezultat i mirë kjo” – thotë ajo.

Sipas mësimdhënëses Qehaja-Elshani në konkursin për mësimdhënëse në shkollën “Selman Riza” në Fushë-Kosovë ishte gjithçka transparente dhe nuk pati asnjëlloj diskriminimi.

“S’kam qenë asnjëherë e diskriminuar, këtë dua ta theksoj, nuk kam qenë por edhe s’e kam ditë që jam diskriminuar. Unë ju them të gjithëve, që pranojeni veten kush jeni dhe punoni fort për ëndrrën tuaj, vetëm puna e arrin dhe e dëshmon që ti mundesh me e bë” – thotë ajo.

Mësimdhënësja u prit mirë edhe nga stafi i shkollës dhe nxënësit.

“Në komunën e Fushë-Kosovës është hera e parë që është angazhuar një mësimdhënëse nga komuniteti egjiptian. Nuk ka pasur ndonjë reagim, mësuesja Emel është prezantuar si një mësuese në fillim, tutje me kalimin e kohës është njoftuar që është e komunitetit egjiptian” – tha drejtori i shkollës “Selman Riza”, Esat Simnica.

Komuna e Fushë-Kosovës kishte një njollë e cila tregonte se kjo komunë në 22 vite nuk kishte arritur të punësonte mësues nga ky komunitet.

Në drejtori ky rekrutim po shihet si shpresë për rekrutimet e radhës.

“Zonja Qehaja është trajtuar si të gjithë të tjerët në konkursin e shpallur në muajin mars të këtij viti. Ajo ka marrë maksimumin e pikëve dhe ajo është një pedagoge si gjithë të tjerët dhe është shumë e pranueshme te nxënsit e shkollës” – tha Ali Topalli, zëdhënës i Komunës së Fushë-Kosovës.

Drejtori i Organizatës “Balkan Sunflowers Kosova”, Muhamet Arifi, kritikon institucionet qendrore dhe lokale për numrin e vogël të punësimeve nga komunitetet. Ai thotë se numri i vogël i punësimeve të mësimdhënëseve nga komunitetet ndodh për disa arsye.

“Kur është bërë punësimi i mësimdhënësve në Kosovë nuk ka pasur mjaftueshëm kandidatë nga komunitet, kjo ka qenë një arsye. Pastaj, sipas mendimit tim, në gjithë sektorin publik ka familjarizim, nepotizëm e ka korrupsion. E kjo është element që komunitetet nuk kanë pasë shumë përfaqësim politik” – thotë ai.

“Qeveria e ka zhvilluar strategjinë e katërt për komunitetet, ne nuk kemi nevojë për me u përfshi në Kosovë, sepse ne jemi pjesë e Kosovës, kemi lindur këtu nëse ligjet thonë se ne duhet të punësohemi, është krejt çka dëshirojmë është zbatimi i ligjit” – deklaron Arifi.

Statistikat nga ministria tregojnë se Kosova numëron 309 mijë e 546 nxënës në nivel vendi por, vetëm 6 mijë e 630 janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Ilustrim, Shkolla

Arifi thotë se institucionet duhet të kujdesen më shumë që t’u krijohet mundësi për shkollim të barabartë të gjithë fëmijëve, pa dallim të përkatësisë etnike.

Të dhënat që Kallxo.com siguroi nga Universiteti i Prishtinës, tregojnë se Fakultetin e Edukimit në vitin akademik 2022/23 nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vijojnë studimet vetëm 8 studentë. Në vitin paraprak, 2020/2021 në UP në fakultetin e Edukimit ishin 14 studentë nga këto tre komunitete.

Në Universitetin Publik të Gjakovës “Fehmi Agani” që nga themelimi deri më tani kanë vijuar mësimin 36 studentë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Ilir Kelmendi, dekan i Fakultetit të Edukimit, thotë se ky institucion i arsimit të lartë ofron një varg lehtësirash për studentët e komuniteteve.

“Që nga fillimi i vitit akademik 2013/14 pothuajse që çdo vit kemi pasur pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në procedurat e pranimit. Universitetet publike në vend ofrojnë një varg lehtësirash për pranimin e studentëve nga këto komunitete” – thotë Kelmendi.

“Nga viti akademik 2013/14 deri më këtë vit akademik kemi pasur gjithsej 36 studentë nga këto komunitete. Nuk është ndonjë shifër e madhe, 12 janë në programin parashkollor ndërsa 24 në atë fillor ndërsa aktualisht kemi vetëm dy studentë nga këto komunitete” – tha ai.