Foto: KALLXO.com

Suharekë, policët u vunë në ndjekje të grabitësve, gjatë ikjes ata vendosën pengesa të ndryshme në rrugë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e grabitjes së armatosur që ndodhi pasditen e sotme në një argjendari në Suharekë.

Sipas njoftimit, pas përleshjes me armë zjarri mes policëve dhe grabitësve, policët ishin vënë në ndjekje të të dyshuarve, të cilët gjatë ikjes kanë vendosur pengesa të ndryshme në rrugë.

“Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Në njoftim thuhet se Policia është njoftuar për një rast grabitjeje të armatosur që ishte në zhvillim e sipër në një argjendari në rrugën “Brigada 123”, në Suharekë.

“Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur, posa patrulla policore ka mbërri në vend ngjarje  të dyshuarit kanë shtëne me armë zjarri  në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit ,ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit”- thuhet në njoftim.

Ndërsa thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me drejtoritë e tjera rajonale janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit, konkretisht identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Përmes këtij njoftimi, Policia ka ftuar qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund ta ndihmojnë në kapjen e kryesve të këtij rasti ta kontaktojnë Policinë.

Në një prononcim për KALLXO.com, drejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, Faton Alija, tha se tabelat e veturës e cila u përdor nga të dyshuarit për grabitjen në Suharekë kanë rezultuar se janë të vjedhura.

Ai tha se këto tabela kanë rezultuar se janë vjedhur diku në Prishtinë.

Policia: Tabelat e veturës që u përdor nga grabitësit në Suharekë rezultojnë të vjedhura