Policia: Tabelat e veturës që u përdor nga grabitësit në Suharekë rezultojnë të vjedhura

Tabelat e veturës e cila u përdor nga të dyshuarit për grabitjen në Suharekë kanë rezultuar se janë të vjedhura.

Kështu ka njoftuar në një prononcim për KALLXO.com, drejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, Faton Alija.

Ai tha se këto tabela kanë rezultuar se janë vjedhur diku në Prishtinë.

“Përmes sistemit është verifikuar se tabelat kanë rezoltuar se janë të vjedhura, do të thotë që kanë qenë të raportuara në Polici”- tha ai.

Ndërsa ka njoftuar nga informacionet që kanë deri më tani dyshohet se vetura e përdorur nga të dyshuarit është ngjyrë hiri e tipit ‘Opel’.

“Ata kanë ikur në drejtim të fshatrave me një veturë, ne dyshojmë se mund të jetë e tipit ‘Opel’, për momentin dihet që është veturë ngjyrë hiri”- tha ai.

Alija tutje ka folur edhe për drejtimin nga mund të kenë shkuar katër të dyshuarit.

“Dyshohet se kanë shku në këto fshatrat e Suharekës, nga drejtimi i Budakovës, që lidhen edhe me qytetin e Ferizajt”- tha ai.

Drejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, Faton Alija, ka thënë se grabitësit kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme të arit në argjendarinë e cila dyshohet se u grabit nga katër persona të armatosur sot në Suharekë.

Ndërsa deri më tani ende nuk dihet vlera arit të grabitur.

Teksa ka dhënë detaje për rastin, Alija ka njoftuar se shitësi i lokalit nuk ka pësuar lëndime.

Alija po ashtu ka dhënë detaje se si ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit mes zyrtarëve të Policisë dhe personave të dyshuar për grabitjen që ndodhur sot në Suharekë.

Ai ka thënë se Policia ka pranuar informacionin për grabitje rreth orës 16:00 dhe patrulla që ka qenë afër vendit të ngjarjes i është përgjigjur rastit.

Sipas tij, ende pa dalë zyrtarët policorë nga vetura, të dyshuarit kanë gjujtur me armë në drejtim të Policisë me ç‘rast lëndime ka marrë polici që ka qenë duke drejtuar veturën.

Policia: Të dyshuarit kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme të arit në argjendari