Spitali i Pejës - Foto: KALLXO.com

Stafi teknik dhe administrata e Urgjencës në Pejë mbesin jashtë pakos në vlerë prej 300 eurove

Qeveria e Kosovës ka ndarë për dy muaj nga 300 euro shtesë për punëtorët shëndetësorë në Kosovë, atyre të policisë dhe zjarrfikësve.

Ky vendim i Qeverisë është marrë pas situatës me të cilën është duke u përballur Kosova me virusin COVID-19.

Për këtë qëllim janë ndarë 15 milionë euro nga buxheti i Kosovës.

Por, stafit teknik dhe administratës së Urgjencës së Pejës, nuk i është ndarë kjo shumë përkundër angazhimit tyre në kohë të pandemisë, në mungesë të stafit shëndetësorë të mjaftueshëm.

Punëtorë të stafit teknik të urgjencës kanë shprehur pakënaqësinë  e tyre lidhur me këtë vendim.

Një prej tyre tregoi për KALLXO.com detaje lidhur më çështjen.

Sipas tij, për një muaj ka vozitur urgjencën-autombulancën e qytetit, duke shtuar se i gjithë shërbimi teknik kanë qenë të angazhuar në aktivitete për luftimin e virusit, aktivitete këto që nuk hynë në detyrat e tyre të punës.

“I kam të protokolume, një muaj e kom vozitur urgjencën, ambulancën e qytetit, dhe komplet shërbimi teknik jemi angazhuar në shërbime tjera plus aktivitetet tona të shërbimit teknik, tjetri koleg është në patronazh plus që kanë qenë në kufi”, tha ai.

Punëtori i stafit teknik shtoi se askujt në shërbimin teknik në QKMF – Pejë nuk i kanë dalë të hollat.

Lidhur me rastin sipas tij është njoftuar drejtori i tyre.

“Shefi ka thënë që gjoja i kanë dërguar listat në Prishtinë, dhe janë refuzuar me arsyetimin kinse se nuk kemi qenë të rrezikuar”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtorin e shërbimit teknik,  Hidaverdi Kastrati, për të marrë sqarim lidhur me rastin.

Drejtori Kastrati pohoi që administrata dhe shërbimi teknik kanë qenë të angazhuar në kohë të pandemisë për shkak të mungesës së punëtorëve.

“Ministria nuk i ka qit për shkak se i ka bërë disa ndarje, e që ndoshta nuk kanë qenë të informuar nga stafi menaxhues për administratën dhe shërbimin teknik, të cilët janë angazhuar gjatë kohës së pandemisë për shkak të mungesës së punëtorëve”, tha Kastrati.

Ai shtoi se administrata e ka bërë kërkesën për ndarje e shumës prej 300 eurove, por që një kërkese të tille është refuzuar nga Ministria.

Drejtori tha se Ministria e ka refuzuar kërkesën me arsyetimin se këta punëtorë nuk kanë qenë në vijë të parë, pra, nuk kanë qenë të rrezikuar.

Reagime lidhur më këtë çështje ka pasur edhe nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Ata përmes komunikatave kanë njoftuar se i janë drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia në lidhje me kompensimin shtesë për punëtorët shëndetësorë të paraparë në Pakon Fiskale Emergjente në shumën prej 300 eurove.

Ata kanë kërkuar që të përfshihet në këtë kompensim i gjithë zinxhiri shëndetësorë ku bëjnë pjesë: Punëtori i sigurimit, pastruesi/ja, bartësit, vozitësit, shërbimet teknike, IT-të dhe duke përfunduar tek infermierët dhe mjekët.

Në vendimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, behët e kategorizimi i punëtorëve që do ju ndahet sigurimi shtese mbi pagë në vlerë prej 300 eurove.

“Sigurimi shtesë mbi pagë në vlerë prej 300 eurove, do t’u jepet punëtorëve në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo të gjithë stafit të institucionit); mjekëve, policëve, gardianëve të Shërbimit Korrektues, zjarrfikësve, ushtarëve, punëtorëve në karantinën e Qendrës së Studentëve, inspektorëve të Inspektoratit dhe atyre të Administratës Tatimore, doganierëve, inspektorëve të Tregut dhe të inspektorateve komunale dhe inspektorëve të Mjekësisë së Punës, për muajt prill dhe maj, në vlerë totale prej 15 milion euro”, thuhet në vendimin e Ministrisë.