Spitali i Gjakovës "Isa Grezda"

Spitali i Gjakovës për grevën e punëtorëve të higjienës: Përgjegjësia është e kompanisë së kontraktuar

Punëtorët e higjienës në Spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, nga 16.03.2026, kanë hyrë në grevë për shkak se nuk i kanë marrë pagat. Këta punonjës janë pjesë e kompanisë private të cilën Spitali i Gjakovës e ka kontraktuar në gusht të vitit 2025, me kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Spitali i Gjakovës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili grevës iu ka referuar si ‘greva e punëtorëve teknik në Spitalin e Gjakovës’.

Nga ky spital është theksuar se që nga viti 2009 nuk ka staf teknik/higjienë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë pune, pasi ky shërbim është i privatizuar.

“Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë nuk ka asnjë marrëdhënie pune me këta punëtorë. Shërbimet e higjienës janë të kontraktuara dhe realizohen nga operator ekonomik privat, i cili është punëdhënësi i vetëm dhe përgjegjësi i drejtpërdrejtë për pagesat dhe të gjitha obligimet ndaj tyre. Ju jeni në dijeni të plotë për këtë realitet. Për këtë arsye, është e papranueshme që publikisht të krijoni perceptim të rremë dhe të përfshini Spitalin në një çështje për të cilën nuk ka përgjegjësi”- thuhet në reagimin e Spitalit në Gjakovë, më 17.03.2026.

Ky institucion ka deklaruar se “Spitali nuk do të lejojë që të përdoret si mbulesë për dështimet e të tjerëve dhe se përgjegjësia është e qartë dhe e padiskutueshme: kompania kontraktuese duhet të përmbushë obligimet ndaj punëtorëve të saj”.

KALLXO.com raportoi më 16.03.2026 se Spitali i Gjakovës ‘Isa Grezda’ në gusht të vitit 2025 ka nënshkruar kontratën ‘Pastrimi i Hapësirave të Brendshme të Spitali’ me kompaninë ‘Krasniqi Sh.P.K’ në vlerë 377 mijë e 858 euro për 12 muaj.

Nga kompania thanë se vonesa e pagesave për këtë muaj ka ardhur si rezultat i mosalokimit të mjeteve buxhetore nga institucionet përgjegjëse.

“Sa i përket situatës aktuale, dëshirojmë të sqarojmë se vonesa e pagesave për periudhën e fundit nuk ka ardhur si rezultat i mospërmbushjes së obligimeve nga ana e kompanisë sonë. Arsyeja e kësaj vonese lidhet me faktin se deri në këtë moment nuk është bërë alokimi i mjeteve buxhetore nga institucionet përgjegjëse, gjë që ka pamundësuar realizimin e pagesave në afatin e zakonshëm”- thuhet në përgjigjen e kompanisë për KALLXO.com.

Nga kompania ‘Krasniqi Sh.P.K’ kanë theksuar se “sapo të bëhet alokimi i mjeteve financiare nga institucionet përgjegjëse, kompania do të realizojë menjëherë pagesat për punëtorët”.

Nga Spitali ‘Isa Grezda’ në Gjakovë kanë thënë se kanë kryer të gjitha obligimet financiare ndaj kompanisë në përputhje me kontratën në fuqi.

Punëtorët e higjienës në Spitalin e Gjakovës futen në grevë pasi nuk kanë marrë pagat