Specialistët e Psikologjisë Klinike protestojnë kundër ‘punësimeve partiake’, reagon QKUK

Një grup i specialistëve të Psikologjisë Klinike ka protestuar sot lidhur me konkursin e hapur nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, përmes të cilit kërkohen dy psikologë për pozitat në Psikiatri.

Visar Sadiku, në emër të grupit protestues tha se duke pasur parasysh se ShSKUK është shërbim terciar personat e pranuar sipas konkursit duhet të jenë specialistë të Psikologjisë Klinike.

“Ne jemi të vetëdijshëm se këto punësime po ndodhin për shkak të librezave partiake, por ne nuk do të lejojmë që ky fenomen të vazhdojë tani e tutje për shkak se është: Boll ma!”, tha Visar Sadiku.

Ka kaluar shumë kohë që na është premtuar se do të punësohemi dhe ne nuk do të tolerojmë të  punësohen personat që nuk janë kompetentë për këto shërbime, tha Sadiku.

Ai premtoi se protesta do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre, që është kërkesa e punësimit sepse, sipas tij, atyre u takon që të punësohen sepse janë specialistë të Psikologjisë Klinike brenda ShSKUK-së, për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka investuar për 4 vite radhazi dhe gjysmë milion euro në mënyrë që të edukohen dhe të jenë të gatshëm për të ofruar shërbime.

Në një përgjigje për KALLXO.com, QKUK thekson se se kriteret e kërkuara në konkurs kanë qenë sipas nevojave për shërbime përkatëse dhe se nuk është anashkaluar baza ligjore.

“QKUK ju njofton se kriteret e konkursit për psikolog klinik janë kërkuar sipas nevojave të shërbimeve përkatëse, pa anashkaluar bazën ligjore, por në pajtim me nevojat e shërbimit”, thuhet në përgjigje.

“Në bazë të kërkesave për plotësim të konkursit, konkursi është plotësuar dhe kanë pasur  të drejtë të konkurrojnë edhe specialistët e Psikologjisë Klinike… Koeficienti nuk është ndryshuar për shkak të implikimeve buxhetore, duke pasur parasysh edhe Ligjin e Pagave që fillon të zbatohet në muaji dhjetor të këtij viti. Ky koeficient do të nivelizohet pasi të fillojë zbatimi i këtij Ligji”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

KALLXO.com ka transmetuar Live protestën e sotme: