Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Sot proteston OVL-UÇK para Kuvendit

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot nga ora 10:00 do të mbajë një protestë para Kuvendit të Kosovës.

Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, ka paralajmëruar ditë më parë se protesta mbahet për të kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Projektligjin për pagat.

“Meqenëse të hënën, me datë 06.06.2022 në ora 11:00 do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë e parë e rendit të ditës është miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale, u vendos që të kundërshtohet kjo”, thuhet në postimin e Klinakut në “Facebook”.

Të hënën, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancë plenare me pikat e papërfunduara.

Pika e parë e rendit të ditës është “votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.