Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Skenderaj, vdes një person disa minuta pasi merr qetësues

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka vdekur vetëm pak minuta pasi të njëjtit i ishte dhënë një qetësues nga ekipet mjekësore.

Sipas forcave të rendit, rasti ka ndodhur në Skenderaj të premten.

“Rreth orës 07:00, ankuesi mashkull kosovar ka kërkuar një ekipi mjekësor që të shkojë në shtëpinë e tij dhe t’i jepet ndihme mjekësore djalit të tij pasi ishte i sëmurë mental. Dy njësi policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar në shtëpinë e tij,  dhoma e personit ishte e mbyllur me çelës nga brenda. Derisa policia dhe ekipi mjekësor kanë provuar të komunikojnë me të, i njëjti nuk ka pranuar të komunikojë me ta” – njofton policia.

Sipas njoftimit, policia ishte larguar nga lokacioni por rreth orës 09:40 në Stacion Policor në Skenderaj ishte paraqitur prapë ankuesi “pasi që sipas tij e kishte hapur derën ku qëndronte djali i tij dhe ka kërkuar që t’i dalin në ndihmë ekipi mjekësor”.

“Rreth orës 09:45 të dy njësitë policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar prapë në atë lokacion ku nga ekipi mjekësor i është dhënë një qetësues, por pas disa minutave personit iu ka keqësuar gjendja në frymëmarrje dhe është dërguar në QKMF Skenderaj për trajtim, por mjeku kujdestar rreth orës 09:50 ka konstatuar vdekjen e tij pas një sulmi kardiak” – thuhet në njoftimin e forcave të rendit.

Rasti është duke u hetuar dhe për të është njoftuar edhe prokurori i shtetit.