Foto: Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës

Sir Stuart Peach në takim me Bislimin: Do ta përkrahim Kosovën, sidomos në NATO

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Peach në këtë takim ka theksuar që Mbretëria e Bashkuar do ta përkrahë Kosovën nga pozita ku ndodhet, sidomos në kuadër të aleancës së NATO-s.

Bislimi dhe Peach tutje kanë diskutuar për dialogun me Serbinë dhe për situatën energjetike në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i parë ka theksuar konstruktivitetin e vazhdueshëm të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Bislimi theksoi angazhimin dhe konstruktivitetin e vazhdueshëm, që nga fillimi i mandatit, në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me fokus në marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër” – ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Ai po ashtu e ka informuar Peach rreth situatës energjetike në veri të Kosovës dhe në përgjithësi.

“Bislimi e informoi Sir Stuart Peach rreth situatës me energji në veri si dhe me situatën energjetike në Kosovë në përgjithësi, për të cilën z. Peach ofroi disponueshmërinë e tij, të ndihmojë aty ku është e mundur, duke patur parasysh krizën e përgjithshme që ka kapluar Evropën” – thuhet tutje në njoftim.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog tutje ka theksuar se për Kosovën, Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe vazhdon të mbetet aleat i fuqishëm dhe përfshirja e tyre në proceset me rëndësi nëpër të cilat po kalon vendi.