Sindikalistët ftojnë në takim të gjitha partitë, me LDK-në dhe PDK-në takohen sot

Këshilli Grevist i Bashkësisë së Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka ftuar në takim partitë politike të Kuvendit të Kosovës.

Ymer Ymeri, koordinator për organizim të brendshëm në SBASHK ka konfirmuar për KALLXO.com se Këshilli Grevist i BSPK-së ka ftuar në takim të gjitha partitë.

Sipas tij, deri më tani takimin e kanë konfirmuar Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës(PDK).

Në ora 11:00 ka filluar takimi me LDK-në ndërsa në ora 14:00 takimi do të mbahet me PDK-në.

“Takimet është duke i zhvilluar Këshilli Grevist i BSPK-së, këshilli grevist ju ka bë ftesa të gjitha partive parlamentare të Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe 6+ për takime. Sot ka takim në ora 11 me LDK-në dhe në ora 14:00 sa kom informata është takimi me PDK-në. Prej AAK, Vetëvendosje dhe 6+ nuk ka ende ndonjë konfirmim për takim” – ka thënë Ymeri për KALLXO.com.

Greva e përgjithshme në Kosovë ka filluar nga 25 gushti dhe ishte paralajmëruar më herët nga BSPK të cilët kanë thënë se kjo grevë do të vazhdojë deri sa qeveria të pranojë që të ulet dhe të dialogojë për kërkesat e tyre.

Në një konferencë për media, kryetari Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli kishte thënë se kërkesat për të cilat sindikalistët nuk janë ftuar nga Qeveria e Kosovës që të dialogojnë janë:

Rritje page prej 100 euro për të gjithë të punësuarit përderisa të miratohet e zbatohet Ligji për paga; Plotësim- ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të finacuara nga shteti, Ligjit nr.04/L-131, e sidomos ndryshimi I Nenit 8, paragrafit 1 e nënparagrafëve 1.2 dhe 1.3 të tij, që thirret në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, e sipas të cilit kërkohet 15 vjet kontribut në skema pensionale para 1 janarit 1999; dhe Zbatimi sa më parë i ligjit të miratuar dhe të shpallur për sigurimin shëndetësor qysh në 2014-tën.