BSPK njofton se greva e përgjithshme fillon nga 25 gushti

Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosovës (BSPK) ka njoftuar se greva në arsim dhe sektorë të tjerë do të fillojë nga data 25 gusht.

Atdhe Hykolli, kryetar i kësaj sindikate ka thënë para mediave se greva iu ka mbetur e vetmja zgjidhje pasi që Qeveria nuk i ka përfillur kërkesat për dialog.

“BSPK i përdori të gjitha mjetet dhe rrugët të organizimit sindikal drejt kërkesave të arsyeshme të të ounësuarve por nuk ia dolëm të ulemi në tavolinën e dialogut social me partnerin tonë social – Qeverinë dhe kësisoj të gjejmë zgjedhjen e duhur për të gjithë bashkarisht” – tha ai duke shtuar se mosshpallja e grevave do të ishte vendim jo i mirë që nënkupton mosveprim sindikal dhe shkelje të ligjit.

“BSPK dëshiron të besojë se qeveria do të ulet në tavolinën e dialogut social ku gjenden rrugët e veprimit e jo të premtim” – shtoi ai.

Hykolli përmendi edhe kërkesat kryesore të tyre për të cilat nuk i është mundësuar të dialogojnë me qeverinë.

“Duam dhe kërkojmë arsyeshëm: Rritje page prej 100 euro për të gjithë të punësuarit përderisa të miratohet e zbatohet Ligji për paga; Plotësim- ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të finacuara nga shteti; Zbatimi sa më parë i ligjit të miratuar dhe të shpallur për sigurimin shëndetësor qysh në 2014-tën” – shtoi ai.

Kurse Rrahman Jashar, kreu i SBASHK tha se Qeveria Kurti mbajti qëndrim të gabuar ndaj sindikatave dhe u mundua ta heshtë zërin e tyre.

Ai u pyet edhe në lidhje me njoftimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla se janë proceduar në konsultime paraprake projektligji për pagat në sektorin publik dhe projektligji për zyrtarët publikë.

Lidhur  me këtë ai tha se ata nuk e duan një ligj në të cilin nuk është i përfshirë zëri i sindikalistëve për dialog.

Nga BSPK kanë njoftuar se në grevë janë të përfshirë edhe shërbyesit civilë.