Një ushtarak ukrainas lëviz nëpër rrënojat e një kompleksi industrial në një pozicion të vijës së parë jashtë Avdiivka, rajoni Donetsk, Ukraina lindore, 4 shkurt 2022.

Si mund të duken sanksionet kundër Rusisë

 

Vendet perëndimore e kanë kërcënuar Rusinë me sanksione nëse ajo e pushton ushtarakisht Ukrainën. Ndërkohë që liderët e vendeve përendimore kanë dhënë pak detaje për saktësisht se çfarë masash planifikojnë të ndërmarrin ose saktësisht se çfarë veprimesh ruse do t’i shkaktonin sanksionet, ata kanë premtuar se do ta bëjnë çdo sanksion të ri më ndëshkues se sa përpjekjet e mëparshme. Në vijim po japim një vështrim se çfarë sanksionesh mund të marrin në konsideratë Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.

Teknologjia

Shtëpia e Bardhë ka thënë se po e shqyrton vendosjen e kontrolleve të eksportit në Rusi, gjë që do ta kufizonte aftësinë e Rusisë për t’i marrë qarqet e integruara të nevojshme për një sërë teknologjish, duke përfshirë telefonat inteligjentë, televizorët dhe veglat e makinerive. Një veprim i tillë mund ta përfshijë shtimin e Rusisë në grupin më kufizues të vendeve nën kontrollin e eksportit, i cili përfshin Kubën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të ngjashme teknologjike gjatë Luftës së Ftohtë për të kufizuar aftësinë e Rusisë që të bëjë zhvillime teknologjike.

 Bankat

Sanksionet ekzistojnë tashmë kundër disa bankave më të vogla shtetërore ruse, të vendosura pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014. Vendet perëndimore mund ta konsiderojnë ashpërsimin e sanksioneve ekzistuese ose zgjerimin e listës së institucioneve financiare që përballen me kufizime, duke përfshirë shtimin e disa bankave private ruse. Sanksionet mund të synojnë gjithashtu Fondin e Investimeve Direkte Ruse të mbështetur nga shteti, i cili investon në kompanitë kryesore ruse.

Gazi natyror

Tubacioni i gazit natyror Nord Stream 2 i përfunduar së fundmi midis Rusisë dhe Gjermanisë është konsideruar për sanksione. Linja e gazit është ende në pritje të miratimit përfundimtar nga Gjermania dhe Berlini është nën presion për ta mos e pranuar miratimin e saj. Gjermania ka treguar se mund ta konsiderojë mos miratimin e Nord Stream 2; megjithatë, varësia energjetike e Evropës nga Rusia e bën të vështirë marrjen e këtij vendimi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian tashmë kanë vendosur sanksione në sektorin energjetik të Rusisë, përfshirë ato të vendosura ndaj kompanisë shtetërore të gazit Gazprom. Përpjekjet e ardhshme mund t’i thellojnë ato sanksione ose ta rrisin numrin e kompanive të prekura prej tyre.

Sistemi Financiar SWIFT

Një nga veprimet më të ashpra që Shtetet e Bashkuara dhe BE mund ta ndërmarrin kundër Rusisë është heqja e Moskës nga sistemi financiar SWIFT që përdoret nga bankat në mbarë botën. Nëse do të bëhej një lëvizje e tillë, Rusia nuk do të mund të përfshihej në shumicën e transaksioneve financiare ndërkombëtare, duke përfshirë marrjen e fitimeve ndërkombëtare nga prodhimi i naftës dhe gazit.

Ky veprim u konsiderua, por nuk u ndërmor kur Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014. Rusia tha në atë kohë se shkëputja nga SWIFT do të ishte e barabartë me një shpallje lufte. Që atëherë, Rusia është përpjekur të zhvillojë sistemin e saj të transfertave financiare të quajtur SPFS, por deri më tani pa ndonjë suskes.

Dollari

Një tjetër masë e mundshme e fortë financiare kundër Rusisë do të ishte bllokimi i qasjes së Rusisë në dollarin amerikan. Pa qasje në sistemin bankar të SHBA-së, kompanitë ruse do ta kishin të vështirë të kryenin transaksione dhe blerje rutinë. Shtetet e Bashkuara mund ta vendosin këtë sanksion vetëm, pa miratimin e vendeve të tjera, ndryshe nga opsioni SëIFT. Presidenti i SHBA Joe Biden u ka treguar gazetarëve se Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë këtë opsion.

Detyrimet

Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar tashmë institucionet financiare amerikane që të blejnë bono qeveritare ruse drejtpërdrejt nga institucionet shtetërore. Biden ndërmori këto veprime pas akuzave se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane. Sanksionet e mëtejshme në tregjet ruse të bonove mund ta ndalojnë tregtimin e tregut sekondar.

Individët

Qeveritë shpesh synojnë individë të veçantë për sanksione, duke vendosur kufizime udhëtimi dhe duke i ndaluar ata të mbajnë asete jashtë shtetit. Duke cituar të dhëna nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, Associated Press raporton se 735 individë rusë janë ende nën sanksionet e SHBA-së për aneksimin e Krimesë nga Rusia. Qeveritë e SHBA-së dhe Britanisë kanë kërcënuar se do ta sanksionojnë elitën e Moskës nëse Rusia e pushton përsëri Ukrainën. Disa ligjvënës amerikanë duan që administrata Biden ta marrë në konsideratë sanksionimin e Alina Kabaeva, një fituese e medaljes së artë olimpike në gjimnastikë ritmike që raportohet të jetë e dashura e presidentit rus Vladimir Putin.

“Individët që ne i kemi identifikuar janë në ose pranë rretheve të brendshme të Kremlinit dhe luajnë një rol në vendimmarrjen e qeverisë ose janë së paku bashkëfajtorë në sjelljen destabilizuese të Kremlinit,” u tha gazetarëve në fund të janarit sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Putini

Vetë Putini është gjithashtu në shqyrtim për sanksione. Ligjvënësit amerikanë kanë propozuar sanksione kundër presidentit rus dhe Biden ka thënë se do t’i konsideronte masat e tilla. Moska ka thënë se çdo sanksion kundër Putinit nuk do ta dëmtonte atë personalisht, por do të ishte “politikisht shkatërrues”./VoA