Ilustrimi: BIRN

Si i kalojnë kontrabandistët emigrantët në BE, pavarësisht murit të ri të Polonisë në kufirin me Bjellorusinë

Biznesi i kalimit në mënyrë të paligjshme të emigrantëve përtej kufirit Bjellorusi-Poloni po lulëzon, pavarësisht patrullimeve kufitare pa ndalim dhe një muri të ri. Një investigim i BIRN tregon se si një zinxhir kontrabandistësh dhe bashkëpunëtorësh operon për të sjellë emigrantë nga jashtë Evropës, nëpërmjet Rusisë, Bjellorusisë dhe Polonisë, për t’i çuar ata më pas në Gjermani dhe gjetkë në Evropën Perëndimore.

Për 36-vjeçarin Daryan, një burrë kurd me origjinë nga Siria, u deshën gjashtë muaj dhe katër kontrabandistë të ndryshëm njerëzish për të arritur nga Lindja e Mesme në Gjermani, ku ndodhej në kohën kur foli për BIRN në fund të qershorit. Kurdët janë shumë kokëfortë, bëri shaka Daryan teksa tregonte historinë e tij.

Daryan bëri gjithsej shtatë përpjekje për të kaluar në Poloni derisa pati sukses, duke përfshirë përdorimin e një shkalle për të ngjitur murin 5 metra të lartë që Polonia ndërtoi përgjatë 200 kilometrave të kufirit të saj me Bjellorusinë që nga kriza e emigrantëve të vitit 2021, kur regjimi bjellorus joshi dhjetëra mijëra emigrantë – kryesisht nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika – në Minsk dhe i grumbulloi ata përgjatë kufirit.

Një herë, Daryan arriti ta kapërcente murin, por rojet kufitare polake e detyruan atë të kthehej pas përmes dyerve në strukturën metalike të krijuar posaçërisht për këtë qëllim (versioni zyrtar është se dyert janë aty që të kalojnë kafshët). Herën e fundit – për fat, kontrabandisti e bëri Daryan-in dhe bashkëmoshatarët e tij të kalonin përmes një lumi të vogël, i cili, në vend të murit, shënjon kufirin mes dy vendeve diku brenda pyllit Bialowieza. Kjo rrugë më në fund funksionoi.

“Kur kontrabandistët përshkruajnë situatën, e bëjnë të duket e lehtë, si të shkosh për piknik”, komentoi Daryan. “Mos e mendo dy herë. Thjesht eja dhe pas dy-tre ditësh do të jesh në Gjermani”, të thonë.

“Në fund na u desh gjysmë viti që të kaloni. Rojet bjelloruse na rrahën disa herë dhe disa kontrabandistë thjesht na braktisën në pyje kur gjërat nuk shkuan mirë”, tregon ai.

Gjykuar nga titujt ndërkombëtarë të lajmeve, kriza e emigracionit në kufirin e BE-së me Bjellorusinë përfundoi në fund të vitit 2021, kur Komisioni Evropian loboi me sukses me linjat ajrore dhe qeveritë kryesore, veçanërisht nga Lindja e Mesme, për të ndaluar fluturimet që mbërrinin në kryeqytetin bjellorus, Minsk.

Megjithatë, në realitet, kjo Rrugë e Kufijve Lindor në Evropë (për të përdorur terminologjinë e agjencisë kufitare të BE-së Frontex) vazhdon të funksionojë ende, me emigrantët që tani kryesisht marrin viza ruse dhe fluturojnë në Moskë përpara se të nisen drejt Minskut dhe më pas drejt Evropës, nëpërmjet kufijve të Bjellorusisë me Poloninë dhe vendet baltike.

Sipas Gardës Kufitare Polake, rreth 100 dhe 200 “hyrje të paligjshme të mbetura në tentativë” për në Poloni u regjistruan çdo ditë gjatë fundit të pranverës dhe fillimit të verës 2023. Numri i emigrantëve që kalonin në Poloni dhe më pas në perëndim është aq i lartë saqë dy shtete gjermane në kufijtë me Poloninë dhe Çekinë i kanë kërkuar qeverisë federale të rivendosë pika kontrolli fikse në kufijtë lindorë të Gjermanisë. Qeveria federale, deri më tani, e ka hedhur poshtë këtë ide, por ka premtuar të shtojë kontrollet në dhe afër kufijve me ato vende.

Bazuar në bisedat me kontrabandistët e shumtë që operojnë në këtë rrugë, intervistat me emigrantët dhe monitorimin e dhjetëra kanaleve të mediave sociale ku reklamohet ky biznes, BIRN tani mund të rindërtojë se si funksionon një zinxhir kontrabandistësh dhe bashkëpunëtorësh të tyre për të sjellë emigrantë në Evropë nëpërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë për deri në 10,000 dollarë për person.

Sipas gjetjeve tona, kontrabandistët e vendosur jashtë Evropës, për shembull në Lindjen e Mesme, po koordinojnë një rrjet banorësh vendas – kryesisht rusë dhe ukrainas, por edhe qytetarë të vendeve të tjera post-sovjetike dhe të Evropës Lindore – secili prej të cilëve kujdeset për një segment të itinerarit të cilin e njohin mirë dhe për të cilin kanë kontakte të mjaftueshme të cilat mund t’i përdorin.

Kur shohim të gjithë aktorët, duket se shfaqet një sistem hierarkik i ngjashëm me marrëdhëniet feudale: ashtu si feudalët, kontrabandistët mbështeten te bashkëpunëtorët lokalë për të udhëhequr dhe kontrolluar emigrantët.

Si funksionon?

Që një njeri si Daryan të shkojë nga Lindja e Mesme në Gjermani nëpërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë, ai zakonisht duhet të punojë me dy kontrabandistë: njëri që kujdeset për pjesën e udhëtimit nga Rusia në Bjellorusi dhe tjetri për pjesën e udhëtimit nga Bjellorusia në Gjermani.

A., një kontrabandist sirian që operon jashtë Moskës, i tha BIRN përmes Telegram-it se ai mund të ofrojë paketa duke përfshirë viza studentore ose private me ftesë për në Rusi për çmimin 3500 dollarë. Për t’i marrë ato viza, A. duhet të bashkëpunojë me aktorë brenda Rusisë, të tillë si universitete që ofrojnë pranim të rremë në kurse gjuhe ose individë privatë që ofrojnë ftesa për viza të rregullta turistike.

Për të paguar paketën, emigranti zakonisht i depoziton paratë në një “zyrë sigurimesh” diku në Lindjen e Mesme dhe kontrabandisti i merr paratë vetëm pasi zyra sheh prova që emigranti ka dalë me sukses nga aeroporti në Moskë.

  1. do të organizojë gjithashtu një makinë e cila do ta marrë emigrantin nga aeroporti dhe do ta çojë atë në një hotel në Moskë – kontrabandistët me të cilët BIRN ishte në kontakt mbështeten kryesisht në kompani të veçanta taksish në kryeqytetin rus për këtë punë.

Është ende A. që kujdeset për t’i çuar emigrantët nga Moska në Minsk, pjesa e dytë e udhëtimit, për të cilën emigranti paguan direkt shoferin sapo mbërrin në kryeqytetin bjellorus. Ky udhëtim kushton 300 dollarë të tjera, shumë të cilën emigrantët mund ta ndajnë nëse ndajnë taksinë me dikë tjetër.

“Makinat tona nisen çdo ditë në orën 22:00 nga Moska për në Minsk”, shpjegoi A.. “Kam shumë vetura dhe mund të transferoj edhe më shumë se dhjetë persona në ditë. Të gjithë shoferët e mi janë rusë.”

Pas udhëtimit nga Moska në Minsk, i cili mund të zgjasë 10-12 orë në varësi të kushteve – nuk ka kontrolle kufitare midis Rusisë dhe Bjellorusisë – emigrantët dërgohen në strehim privat të organizuar nga kontrabandistët për një tarifë tipike prej 10 dollarësh nata. Për shkak se emigrantët në ditët e sotme zakonisht nuk kanë më viza bjelloruse, ata priren të mos sistemohen në hotele të rregullta.

Me të mbërritur në Minsk, emigranti kontakton një kontrabandist të dytë – dy kontrabandistët mund të punojnë së bashku dhe të rekomandojnë njëri-tjetrin, por nuk është gjithmonë kështu.

B., një kontrabandist jemenas që operon midis Minskut dhe Gjermanisë, i tha BIRN se ka dy opsione për udhëtimin: nëse emigrantët janë të mirë në përdorimin e aplikacioneve të navigimit në telefonat e tyre, kontrabandisti u jep atyre një lokacion në anën polake ku një shofer i merr për t’i çuar në Gjermani; nëse nuk janë të aftë për t’u orientuar si duhet, marrin një guidë (për një çmim më të lartë).

“Guida nuk vjen për t’ju marrë në Minsk”, shpjegoi B.. “Ju kaloni në ‘zonën e ndaluar’ dhe guida ju pret atje.”

“Zona e ndaluar” këtu i referohet zonës më të afërt me kufirin në anën bjelloruse, të ndarë nga një gardh teli.

“Guida ju merr në lokacionin që ju dërgoj unë, ju ndihmon të kaloni pyllin murin. Pasi të jeni në anën polake, duhet të ecni edhe një kilometër tjetër dhe atje ju pret një makinë”, tha B..

Daryan, emigranti sirian, përshkroi përvojën e tij me këta guida. I pari, të cilin Daryan e përshkroi si “Turkmen” ishte shumë i ri dhe nuk dukej se e dinte rrugën. Ai ishte aq i hutuar saqë emigrantët u përpoqën ta gjenin rrugën në telefonat e tyre dhe përfunduan të humbur në pyll për dy ditë pa arritur askund. Një guidë e dytë, i propozuar nga një tjetër kontrabandist, me të cilin Daryan kontaktoi më vonë, ishte një burrë i moshuar bjellorus që solli një shkallë me vete. Burri ishte aq plak, tha Daryan, sa që emigrantët u desh ta mbanin vetë shkallën.

Ndërsa guida e Daryan-it përdori një shkallë për t’i kaluar emigrantët matanë gardhit, ka të tjerë që heqin shtyllat metalike nga muri në vende të veçanta, gjë që u lë hapësirë të mjaftueshme emigrantëve që thjesht të kalojnë në anën tjetër.

Pas çdo përpjekjeje të dështuar ose kthimi pas nga rojet kufitare, emigrantët kthehen vetë në Minsk dhe presin në banesën e tyre derisa kontrabandisti (ose një kontrabandist tjetër i ri nëse emigranti zgjedh ta ndryshojë) të kontaktojë për të propozuar kohën për një përpjekje të re për të kaluar kufirin.

Në rastin e Daryan-it, ishte kontrabandisti i tretë që përmbushi premtimin e tij për ta çuar atë në Poloni. Guida që propozoi kontrabandisti i ri, një burrë kurd, solli një varkë dhe kaloi lumin në kufi bashkë me emigrantët.

C., një tjetër kontrabandist sirian që punon në rrugën Minsk-Gjermani, sugjeroi në një bisedë në Telegram me BIRN se po koordinohej me autoritetet bjelloruse për të shmangur çdo problem në atë anë të kufirit: “Kemi një kohë specifike kur largohemi nga Minsku, kohë specifike kur arrijmë në ‘zonën e ndaluar’ dhe kohë specifike kur kalojmë kufirin.

Ky kontrabandist, i cili përdor rrugë që përshkojnë lumenj dhe jo kapërcimin e murit, kërkon një tarifë më të lartë, mbi 5,000 dollarë në krahasim me mesataren 3,500 dollarë që paguajnë të tjerët. Në të gjitha rastet, “zyrat e sigurimeve” ua japin pagesat kontrabandistëve vetëm pasi marrin prova për mbërritjen e emigrantëve në Gjermani.

“Nëse mendoni se shuma që ju kërkoj është shumë e lartë, shkoni te djemtë që kërkojnë 3,500 dollarë dhe provoni fatin me ta”, tha C.. “Kam dëgjuar se ka probleme me kalimin e murit prej hekuri (murin kufitar polak). Vetëm një në dhjetë ia del me disa nga djemtë e tjerë; me mua, Inshallah, suksesi është rreth 90 për qind. Unë jam i vetmi që kam guida që punojnë edhe në anën polake.”

Mundësi punësimi

“Ç’kemi, djema. Ka oferta të mira pune në Bullgari, Minsk, Lituani dhe Poloni, na duhen shoferë me makinat e tyre. Nëse dikush është i interesuar, të dërgojë një mesazh. Pagesa është e mirë.”

Sa më sipër është vetëm një nga qindra njoftimet e punës të postuara në kanalet Telegram në gjuhën ruse, të cilat rekrutuesit i përdorin për të gjetur shoferë që mund të marrin emigrantët dhe t’i dërgojnë në Gjermani. Shumica e reklamave specifikojnë gjithashtu pagesën: 2,000 deri në 3,000 dollarë për udhëtim.

BIRN bisedoi me një nga burrat që postoi një reklamë të tillë, Konstantini, përmes Telegram-it, për të kuptuar se si funksionon procesi i rekrutimit.

Në këtë rast, rekrutuesi shpjegoi se puna ishte “kalimi me makinë i refugjatëve” dhe se pagesa për shoferin ishte 600-700 dollarë për person. Ai tregoi se vendi i marrjes së emigrantëve ishte afër Hajnowkas, një fshat jashtë pyllit Bialowieza në Poloninë lindore dhe se pika e destinacionit do të ishte në kufirin me Gjermaninë. Konstantini shtoi se pagesa duhet të bëhet në kriptomonedhë.

Në kanalet Telegram që kontrabandistët përdorin për të reklamuar biznesin e tyre, ka qindra video që tregojnë emigrantët që kanë kaluar kufirin polak, duke lëvizur me makina ose duke kaluar në këmbë në Gjermani. Në këto video, shoferët regjistrojnë emigrantët duke dhënë emrat e tyre (këto video mund të shërbejnë më vonë si provë për të marrë pagesat nga “zyrat e sigurimeve”). Shpesh, emigrantët shprehin me bollëk mirënjohjen e tyre për kontrabandistin, duke iu referuar atij me pseudonimin që ai përdor në mediat sociale – megjithëse disa janë qartësisht shumë të rraskapitur ose të sëmurë dhe thjesht japin emrat e tyre.

Në disa nga videot dëgjohen zërat e drejtuesve të mjeteve. Shumë rrallë, fytyrat ose targat e tyre kapen aksidentalisht. Drejtuesit flasin gjithmonë një gjuhë sllave ose anglisht me theks sllav: shpesh edhe rusisht ose ukrainisht që duket të jetë gjuha e tyre amtare, por polonishtja dhe çekishtja dëgjohen gjithashtu. Herë pas here, mund të dëgjohen edhe zëra grash, pasi disa shoferë duket se punojnë së bashku me partneret e tyre.

Në mënyrë tipike, tonet e shoferëve janë të rreptë dhe të ashpër, duke kërkuar që emigrantët të zbresin nga makinat e tyre sa më shpejt të jetë e mundur dhe “ecni, ecni, ecni” për të kaluar urën e këmbësorëve për në Gjermani.

Anna Michalska, zëdhënëse e Gardës Kufitare Polake, i tha BIRN se autoritetet polake arrestuan 401 persona vitin e kaluar dhe 352 nga janari deri në fillim të qershorit të këtij viti, për “organizim ose asistim në organizimin e kalimit të paligjshëm të kufirit”.

Nga të arrestuarit vitin e kaluar, 174 ishin ukrainas, 47 polakë dhe 37 gjeorgjianë. Në gjysmën e parë të këtij viti, 171 ishin ukrainas, 37 gjeorgjianë dhe 33 bjellorusë. Shumica e të arrestuarve ka të ngjarë të kenë qenë shoferë./Reporter.al.